Të hënën e 30 janarit do të mblidhet Kryesia e Kuvendit, ku në takim pritet të diskutohet për caktimin e seancës së radhës së Kuvendit të Kosovës.
Takimi është paralajmëruar të mbahet në orën 11:00, ku si zakonisht pritet të ketë konferencë për media nga shefat e grupeve parlamentare të kuvendit.
Në rend dite do të jetë interpelanca e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës javën që lamë pas ka mbajtur dy seanca, të mërkurën dhe të enjten.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, e ka potencuar përkushtimin e Kosovës që sa më shpejt të arrihet dakordimi final rreth propozimit të BE-së, të mbështetur nga Franca e Gjermania.
Ai ka treguar rrethanat, në të cilat, do të zbatohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
- Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
- Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas kushtetutës.
- Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
- Para vendosjes së asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
- Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshetërore me Kosovën.
- Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara në pesë shtetet e BE-se për mospranimin e aplikimit të Kosovës në BE.