3 prilli është data e fillimit të gjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-krerët, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, akuzohen për burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave. Për të gjitha akuzat, të njëjtit janë deklaruar të pafajshëm.
Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Hashim Thaçi
Në ditën kur dha dorëheqje nga posti i presidentit, po atë ditë Thaçi u nis drejt Hagës ku edhe aktualisht po qëndron, në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara. Ai është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave.
Ndonëse kishte deklaruar se e konsideronte padrejtësi, Thaçi thoshte se Kosova duhej ta themelote këtë institucion i cili ishte në harmoni me ligjet e saj.
“Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për të themeluar një Gjykatë Speciale, që do të trajtojë ndonjë akuzë të mundshme, e cila do të mund të rezultojë nga hetimet e Task Forcës Speciale Hetuese e themeluar nga Bashkimit Evropian, për të adresuar pretendimet e dala nga Raporti i Dick Martyt, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare”, kishte deklaruar Thaçi në Kuvendin e Kosovës.
Ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas dokumenteve të Gjykatës Speciale, thuhet se në kohën e luftës ka qenë shef i drejtorive politike dhe informimit të UÇK-së, kryekomandant i UÇK-së dhe kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
Kadri Veseli
Pasi iu ishte konfirmuar një aktakuzë ndaj tij, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli ishte nisur vullnetarisht drejt Hagës. Paraqitjen e parë para kësaj të fundit, Veseli e bëri më 10 nëntor të vitit 2020 me ç’rast, u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave të drejtuara.
“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë, se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, deklaroi Veseli.
Veseli në kohën kur iu konfirmua aktakuza udhëhiqte Partinë Demokratike të Kosovës. Paraprakisht, ai kishte qenë edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Veseli thuhet se ka qenë anëtar i drejtorisë politike të UÇK-së dhe shef i shërbimit të zbulimit të UÇK-së. Po ashtu thuhet se Veseli ka qenë ministër i Shërbimit Informativ në Qeverinë e Përkohshme dhe shef i Shërbimit Informativ të Kosovës.
Jakup Krasniqi
Përkundër Thaçit e Veselit, ish-kryeparlamentari Krasniqi kishte mbajtur një fjalim në deklarimin e tij në seancë. Ai kishte deklaruar se “ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese”, dhe jo më ndryshe.
Jakup Krasniqi gjendet në Hagë nga 4 nëntori i vitit 2020. Ish-kryeparlamentari ishte zëdhënës i UÇK-së dhe i Qeverisë së Përkohshme, anëtar i drejtorisë politike dhe zëvendëskomandant i UÇK-së në kohën e luftës, sipas Speciales.
Rexhep Selimi
“E padrejtë’ ishte cilësuar aktakuza nga ana e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi.
“Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem, do kthehem po ashtu me kokën lart, sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime”, kishte shkruar ai po atë ditë në llogarinë e tij në Facebook.
Në kohën e arrestimit të tij, Selimi ishte shef i Grupit Parlamentar të partisë aktuale në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje njëherit, subjektit që kundërshtoi Gjykatën Speciale.
Sipas Dhomave të Specializuara, Selimi ka qenë shef i drejtorisë operative të UÇK-së dhe deri në fund të marsit të vitit 1999 ka qenë inspektor i përgjithshëm i kësaj ushtrie.
Pavarësisht se u bë publike më 5 nëntor të vitit 2020, aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte konfirmuar më 26 tetor të po atij viti. Dy vjet më vonë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti akuza të reja, për të cilat po ashtu Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u deklaruan të pafajshëm.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen se së bashku me anëtarë të tjerë “të ndërmarrjes së përbashkët kriminale” kanë pasur për qëllim të marrin dhe ushtrojnë kontrollin “në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e tyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Në aktakuzë thuhet se në mesin e viktimave kishte persona që dyshoheshin se ishin kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë edhe të Qeverisë së Përkohshme, “konkretisht serbë, romë dhe ashkalinj; katolikë; civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”.
Ndër të tjera, aktakuza pretendon se në Kosovë ka pasur qendra të ndalimit në disa lokacione, sikurse në Likoc, Jabllanicë, Drenoc, Llapushnik e të tjera.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht akuzohen se kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.
Këto akuza përfshijnë krime që pretendohet se janë kryer në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe Gjilan.
ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, disa herë kanë paraqitur kërkesë për lirimin e klientëve të tyre me kusht deri në nisjen e gjykimit, kërkesa që janë refuzuar.
Procesi gjyqësor që nis më 3 prill pritet të zgjasë për vite të tëra, për shkak të lëndës voluminoze dhe të numrit të madh të dëshmitarëve dhe dokumenteve që pritet të prezantojë, si Prokuroria, ashtu edhe mbrojtja, transmeton REL.
Trupi gjykues tha më 20 mars se nëse Prokuroria e Specializuar vazhdon përpara me përllogaritjen e paraqitur sa i përket dëshmitarëve, atëherë asaj do t’i duhen 6.5 vjet kohë vetëm për të marrë në pyetje dëshmitarët e saj. ZPS deri më tani ka paraqitur 312 dëshmitarë, të cilët do të merren në pyetje nga ajo, por edhe nga mbrojtja.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.