Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të hënën e 14 nëntorit duke filluar nga ora 14:00 do të mbajë takim me përfaqësuesit e subjekteve politike, me të cilët do të konsultohet për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Një ftesë e tillë për caktimin e datës së zgjedhjeve ka ardhur pasi kryetarët e katër komunave të lartcekura më 7 nëntor kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.
Këto dorëheqje janë dorëzuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), për të cilat është njoftuar edhe Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Vlen të theksohet, se Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, ka bërë të ditur se pas konsultimit me partitë politike, presidentja Osmani pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre katër komunave brenda afateve ligjore.
Ndryshe më 5 nëntor, përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
MAPL njofton se ka pranuar dorëheqjet e kryetarëve të katër komunave veriore