Shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se ditën e hënë, më datë 28 tetor, do të bëhet promovimi i librit “Amanete zemre” i autorit Enver Petrovci. Libri do të promovohet në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini” (te sheshi “Nënë Tereza”).
Për të folur rreth librit, përveç autorit, në panel do të jenë të pranishëm:
Xhevat Limani – aktor dhe regjisor;
Nysret Simnica – recensues; dhe
Naser Rafuna – aktor dhe skenarist.
Promovimi do të moderohet nga Liridona Bytyçi.
Libri “Amanete zemre” paraqet përsiatjet e autorit mbi përvojën jetësore në teatër. Pas një karriere të gjatë teatrore, filmike dhe edukative si profesor i Diksionit dhe i Aktrimit, si regjisor dhe si dramaturg, autori Enver Petrovci sjell përvojën e tij në këtë libër.
Përmes dhjetë kapitujsh, Petrovci përsiatet mbi 10 tema: Aktorit/es, Jetës, Dashurisë, Gruas, Mësuesit të aktorëve, Studentit të aktrimit, Regjisorit të teatrit, Drejtorit të teatrit, Teatrit, ndërsa e përmbyll me disa thënie personale.
Autori, përmes këtyre dhjetë kapitujve, na tregon se sa është e rëndësishme të jemi “origjinalë në atë që bëjmë, dhe asnjëherë imitues”.
Kujtojmë që Enver Petrovci është aktor dhe regjisor i njohur shqiptar, i cili ka ndërtuar karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212”, ku me rolet e luajtura u bë i njohur në mbarë ish-Jugosllavinë duke u vlerësuar si një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe.
Ai, po ashtu, është njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ai vazhdon të jetë aktiv nëpër projekte të ndryshme; vetëm para disa muajsh ishte pjesë e një projekti filmik, i cili pritet të dalë së afërmi.
Shtëpia botuese “Dukagjini” mirëpret të gjithë të interesuarit në këtë promovim, i cili ofron një mundësi të mirë për takim e diskutim të afërt me autorin.