Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini” (te sheshi “Nënë Tereza”) do të bëhet promovimi i librit “Kape lepurin” nga Lana Bastašić.
Jua rikujtojmë se “Dukagjini” është shtëpia e parë botuese nga Kosova që është bërë pjesë e projektit kulturor “Evropa Kreative”, me mbështetjen e së cilës sjell edhe librin “Kape Lepurin”, i cili vjen në kuadër të kolanës “Effugium”.
Për të diskutuar rreth librit, në panel do të jenë të pranishëm:
Shkëlzen Maliqi – përkthyes i librit dhe
Shpëtim Selmani – shkrimtar dhe aktor.
Promovimi do ta moderojë Jeta Zymberi nga shtëpia botuese “Dukagjini”.
Romani “Kape lepurin” vë përballë të kaluarën dhe të tashmen përmes një historie tejet emocionuese për luftën, vdekjen e miqësinë femërore e krahas tyre edhe për identitetin dhe marrëdhëniet femërore e pjekurinë feministe në një shoqëri patriarkale e konservatore të periudhës së viteve ’90.
Nis si një udhëtim rrugor në Bosnjën e pasluftës, i dy grave të reja, i dy shoqeve, Lejlës e Sarës, e bëhet udhëtim i gjatë nëpër të kaluarën, me synim gjetjen e Arminit, vëllait të Lejlës, i cili qe zhdukur në fund të luftës së Bosnjës, e që vetëm ato ishin të bindura se ai ende ishte gjallë.
Rreth autores:
Lana Bastašić është shkrimtare, romanciere dhe përkthyese boshnjake. Romani debutues i Bastašić-it, “Kape lepurin”, u botua në Beograd në vitin 2018, dhe më pas u ribotua në Sarajevë. Libri fitoi Çmimin e BE-së për Letërsinë në vitin 2020 dhe u përfshi në listën e ngushtë për Çmimin NIN. Ndërsa “Dukagjini” e sjell “Kape lepurin” në gjuhën shqipe, në kuadër të kolonës “Effugium”.
Promovimi është një mundësi e mirë për takim e diskutim më të afërt rreth librit!