Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se nesër, më 14 qershor 2022 do të mbahet pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë, të cilit do t’ nënshtrohen mbi 24 mijë nxënës të klasëve të nënta, në 176 qendra të testimit, ku të angazhuar për mbarëvajtje të procesit janë rreth 1600 administrues.
Në pjesën e dytë të testit, nxënësit do t’iu nënshtrohen pyetjeve nga lënda e Matematikës, Informatikës, Shkencave Natyrore, Fizikës dhe Kimisë.
”Ndërsa, sa i përket pjesës së parë të testimit, e cila është mbajtur më 4 qershor 2022, MAShTI ka nxjerrë një raport në të cilin janë evidentuar problemet që e kanë përcjellë procesin e mbajtjes së testimit, të cilat janë: mospërmbajtja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionerët dhe administruesit e qendrave të testimit dhe përdorimi i telefonave celularë nga nxënësit.
Lidhur me mosrespektimin e udhëzimeve gjatë mbajtjes së pjesës së parë të Testit të Arritshmërisë, MAShTI ka marrë të gjitha informatat nga terreni dhe ka marrë masat adekuate në mënyrë që në pjesën e dytë të testimit të eliminohen të gjitha papërgjegjësitë që janë evidentuar në pjesën e parë’’, është shkruar në postimin e MAShT-it.
Gjithashtu, MAShT-i njofton se, bazuar në legjislacionin në fuqi janë ndërmarrë masa ndaj 6 administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin nuk do t’u lejohet të përsërisin pjesën e parë të testimit, pra atyre do t’u llogariten pikët vetëm nga lëndët në pjesën e dytë të Testit.
Ndër të tjerash, MAShT-i kërkon nga Drejtoritë Komunale të Arsimit që të marrin të gjitha masat e nevojshme, të cilat do të sigurojnë që pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë të organizohet sipas standardeve dhe rregullave të përcaktuara.
Duhet të theksojmë se në mënyrë që pjesa e dytë e testimit të shkojë mirë, MAShTI ka krijuar një grup punues i cili do të bëjë monitorimin e procesit, ku janë përfshirë zyrtarë kompetentë nga krimet kibernetike, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe DKA-ve.
”MAShTI, gjithashtu kërkon nga DKA-të, që në pjesën e dytë të testit të sigurohen që: administruesit të arrijnë me kohë në Qendrën e Testimit, të kenë me vete udhëzuesin me rregullat për administrimin e Testit, të respektojnë rregullat e administrimit të Testit sipas udhëzuesve të shpërndarë nga DVSM-MAShTI, të njoftojnë nxënësit për rregullat që duhet të respektojnë gjatë procesit të testimit, të mos lejojnë nxënësit që të hyjnë me telefon në qendër të testimit, të njoftojnë administruesit se do të përjashtohen nga procesi, në rast të mos respektimit të përgjegjësive dhe se ndaj tyre do të ndërmerren masa, sipas legjislacionit në fuqi’’, thuhet ndër të tjerash në postim.
Të shtunën mbahet pjesa e parë e testit të arritshmërisë për nxënësit e klasave të nënta