Një gjykim që tashmë duket e sigurt se do ta rishkruaj historinë e luftës.
Këtë vlerësim e ka dhënë mediumi prestigjioz britanik “The Guardian”, në një shkrim të publikuar të hënën, në lidhje me procesin gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Shkrimi që në fillim tregon se si Hashim Thaçi, në cilësinë e komandantit në UÇK, kishte pritur ish-kryeministrin britanik, Toni Blair, që ishte një nga përkrahësit më të mëdhenjë të UÇK-së, e gjithashtu kishte marrë përkrahje të fortë edhe nga dy ish-sekretaret amerikane të shtetit, Madeleine Albright e Hillary Clinton.
Kurse tash, “The Guardian” shkruan, se pikërisht Thaçi dhe tre ish-krerë të tjerë të UÇK-së po gjykohen për krime lufte.
Këtë shkrim, avokati Granit Vokshi e cilëson si një publicitet negativ, të cilit i kontribuon aktakuza e Zyrës së Prokurorit, së cilës sipas tij i mungojnë shumë fakte.
Granit Vokshi, avokat ka thënë se “Është tërësisht jashtë kontekstit historik dhe politik, nuk i merr parasysh ndodhitë të cilat kanë qenë prezente në kohën e cila është objekt i kësaj aktakuze, nuk përmenden fare konteksti i krimeve serbe, nuk përmend fare kontekstin e involvimit të Bashkësisë Ndërkombëtare”.
Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale ka thënë se “Është duke u stërzgjatë procedura penale për këta katër ish-krerët e UÇK-së… Kjo procedurë sipas këtyre parimeve është dashtë të përfundohet me një aktgjykim të shkallës së parë brenda dy viteve”.
Salihu vlerëson se i gjithë procesi deri më tani është përcjellur me shumë parregullësi.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, në tri ditët e ardhshme do t’i dëgjojnë dëshmitë e dëshmitarëve të parë kundër tyre.
Vetëm për 12 të parët, Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka kërkuar 234 orë kohë, pasi ata i vlerëson si shumë të rëndësishëm për procesin.
Gjithë këtë kohë e kanë kundërshtuar mbrojtja e të akuzuarve, të cilët gjithashtu do ta kenë hapësirën e tyre për t’i marrë në pyetje dëshmitarët e Prokurorisë.
Prokuroria ka paraqitur emrat e gjithsej 312 dëshmitarëve për dëgjim, si dhe ka treguar se në këtë rast pretendojnë të jenë 140 viktima.