Të martën nis gjykimi ndaj Pjetër Shalës

Të martën e 21 shkurtit do të fillojë gjykimi ndaj Pjetër Shalës

Pjetër Shala

Më 21 shkurt, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), do të nisë gjykimi kundër Pjetër Shalës, i cili akuzohet mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me katër akuza për krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Deklaratat hyrëse janë planifikuar për 21 dhe 22 shkurt, duke filluar nga ora 9:30.

Versioni i parë i Aktakuzës kundër Pjetër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe Aktakuza e konfirmuar e korrigjuar u dorëzua më 1 nëntor 2021.

“Pretendohet se krimet u kryen afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, Shqipëri, që pretendohet se shfrytëzohej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)”, thuhet në njoftimin e DHSK-së.

Më 21 shkurt, kryegjykatësja do të hapë gjykimin, do të kërkojë që të akuzuarit t’i lexohen akuzat, do ta informojë atë për të drejtat dhe detyrimet dhe do ta pyesë nëse e ka kuptuar Aktakuzën dhe nëse dëshiron të konfirmojë vetëdeklarimin e tij të mëhershëm si i pafajshëm.

Më pas, Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbrojtësi i viktimave dhe Mbrojtja do të kenë përkatësisht nga dy orë për të bërë deklaratat e tyre hyrëse.

Mbrojtja ka bërë të ditur se pas deklaratës hyrëse të saj, Shala dëshiron të bëjë një deklaratë të shkurtër pa betim, me kohëzgjatje prej përafërsisht 5 minutash.

Deri më tani janë pranuar tetë persona për të marrë pjesë në proces si viktima dhe procesi i paraqitjes së kërkesave për pjesëmarrje si viktimë është ende i hapur.

Personat të cilët mund të vërtetojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si rezultat i drejtpërdrejtë i një krimi të pretenduar në Aktakuzën e konfirmuar të korrigjuar, ende mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në proces.

Këtu mund të përfshihen si personat që kanë pësuar dëm të drejtpërdrejtë, ashtu edhe ata që kanë pësuar dëm jo të drejtpërdrejtë, për shembull, për shkak të lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar.

Trupi Gjykues ka bërë të ditur se paraqitja e provave në gjykim, ndër to edhe thirrja e dëshmitarëve, do të fillojë më 27 mars 2023.

Trupi Gjykues, në vendimin e vet, ka planifikuar një numër seancash gjyqësore për periudhën mars-korrik, të cilave mund t’u bëhen ndryshime nëse do të jetë e nevojshme.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika