I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë të martën në Prishtinë.
Në kuadër të vizitës së tij, Lajçak do të pritet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, rreth orës 15:00, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentes.
“Në orën 15:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftim.
Në po të njëjtën ditë, Kosovën do ta vizitojnë edhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte si dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel.
“Në orën 08:30, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim kryeministrin e Holandës, Mark Rutte si dhe kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel”, vijon njoftimi.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë kësaj jave, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë, në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.
Këtë për Portali Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ka theksuar se Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell i ka kërkuar emisarit Lajçak që të udhëtojë drejt Kosovës dhe Serbisë në ditët në vijim.
“Është një pjesë integrale e punës së një emisari të udhëtojë për të parë partnerët në terren. Lajçak është rregullisht në Beograd, Prishtinë, kryeqytetet e BE-së dhe vende të tjera, përfshirë jashtë BE-së, për të kryer punën e tij të përditshme për të çuar përpara Dialogun. Pas Këshillit Evropian javën e kaluar, Përfaqësuesi i Lartë Borrell i ka kërkuar emisarit Lajçak që të udhëtojë në Kosovë dhe Serbi në ditët në vijim për të diskutuar rrugën përpara”, ka thënë Stano.
BE-ja ka nisur së zbatuari disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
BE-ja e konfirmon vizitën e Lajçakut në Kosovë dhe Serbi gjatë kësaj jave