Të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që më 4 shkurt, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini” (te sheshi “Nënë Tereza”) do të bëhet promovimi i përkthimit të librit “Dorëshkrimi fanariot” nga autorja Doina Ruşti, botuar në kuadër të kolanës “Effugium” (projekt i mbështetur nga Evropa Kreative).
Jua rikujtojmë se “Dukagjini” është shtëpia e parë botuese nga Kosova që është bërë pjesë e projektit kulturor “Evropa Kreative”, me mbështetjen e së cilës botohet, pra, “Dorëshkrimi fanariot” i autores Doina Ruşti.
Për të diskutuar rreth librit, në panel do të jenë:
Maniela Sota – përkthyesja e librit
Osman Gashi – profesor në departamentin e letërsisë shqipe (UP)
Promovimi do të moderohet nga Liridona Bytyçi.
Shënim për librin:
Libri “Dorëshkrimi fanariot” karakterizohet nga një shumësi personazhesh dhe një ngjarje jashtëzakonisht interesante – rikonstruktimi i një historie dashurie. Ky libër është konsideruar, me të drejtë, vepra më e mirë e autores, e cila ka shprehur një interesim të thellë për historinë e Bukureshtit të shekullit XVIII. Ajo na e sjell këtë qytet të perceptuar nëpërmjet letërsisë së fiksionit.
Shënim për autoren:
Doina Ruşti është shkrimtare dhe akademike rumune, e njohur për romanet e saj historike dhe bashkëkohore. Ajo ka studiuar letërsinë rumune në Universitetin e Bukureshtit dhe ka doktoruar në histori letrare. Veprat e saj shpeshherë përfshijnë tema të historisë rumune, të folklorit dhe të mistikës, duke i ndërlidhur ato me kontekstin bashkëkohor. Shkrimtarja Doina Ruşti njihet për thellësinë intelektuale dhe stilin e saj lirik.
Promovmi është një mundësi e mirë për takim e diskutim më të afërt rreth librit!