Ndërmarrja Publike Banesore, qiramarrësit dhe punëtorët e lokaleve në Prishtinë do të protestojnë të mërkurën e 1 shkurtit para komunës për shkak të rritjes së çmimeve të qirasë për lokale.
Protesta është planifikuar të fillojë nga ora 9:00, para objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës.
Një protestë të tillë e kanë paralajmëruar NPB përmes një njoftimi për media.
“Për shkak të situatës së krijuar me rastin e rritjes së çmimit të qirasë për lokalet në Prishtinë, nga Ndërmarrja Publike Banesore, qiramarrësit dhe punëtorët e lokaleve, po ashtu edhe qytetarë të tjerë, do të protestojnë në shenjë revolte për këtë padrejtësi, në këtë kohë kur po përballemi me krizë ekonomike”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Komuna e Prishtinës ka ngritur së fundi edhe çmimet e biletave njëdrejtimëshe të trafikut urban.