Rreth 9 muaj që nga arrestimi i Bedri Shabani e Muharrem Qerimi të akuzuar për spiunazh, gjatë kësaj jave ata pritet që të dalin para gjykatës, në seancën fillestare.
Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti special ka konfirmuar se shqyrtimi fillestar ndaj tyre, ku pritet që t’u lexohet aktakuza dhe ata të deklarohen për të, do të mbahet këtë të mërkurë.
GJYKATA THEMELORE NË PRISHTINË njoftoi se “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve B.SH. dhe M.Q. është caktuar të mbahet me datë 05 mars 2025, në ora 13.15.”
Prokuroria Speciale e Kosovës, muajin e kaluar ngriti aktakuzë ndaj Shabanit dhe Qerimit, nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit dhe armëmbajtjes pa leje.
Sipas aktakuzës, që Prokuroria Speciale e ofroi për mediat të redaktuar e pas kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, këta dy persona funksiononin bashkërisht në shërbim të organeve të inteligjencës së Serbisë.
Bedri Shabani e Muharrem Qerimi, mblidhnin informacione e materiale të ndryshme në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe pastaj ia transferonin Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë.
Në dokumentin dy faqësh, të dispozitivit të aktakuzës, thuhet se informacionet drejt BIA-s, i kanë drejtuar përmes komunikimeve telefonike e takimeve fizike të zhvilluara në Serbi.
Aty përshkruhet edhe roli i secilit veç e veç me Bedri Shabanin që ofronte informacione për UÇK-në por madje në një rast i kërkonte BIA-s veprime që do të shkaktonin konflikt ndëretnik.
AKTAKUZA E PROKURORISË SPECIALE thuhet se “Nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij më dt. 05.06.2024, i pandehuri B.Sh, e ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si “BIA”) në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që ndërlidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”), përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarjet dhe objekte specifike, të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin……, dhe masakrën e ……. në atë mënyrë që i pandehuri, të dhënat dhe informacionet në fjalë, ia kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIAS-s, S.R, përgjegjës për……….gjatë kohës së Luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor –ushtarak në masakrën e ……, përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike, të zhvilluara në territorin e Serbisë, çka me këto veprime, i pandehuri ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendit juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke e ndihmuar po ashtu BIA-në në krijimin e një narrative të pavërtetë, me qëllim që të ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së….. , me të ashtuquajturën “……..” ne…….., kinse janë bërë trafikim organesh, si dhe vë në dyshim të vërtetën e masakrës së ………….. duke kërkuar nga zyrtari i BIA-s dhe B.J, që të ndërmarrin veprime operacionale, të cilat do të shkaktonin një konflikt të gjerë ndëretnik në territorin e Kosovës.”
Ndërkohë që nuk është e ditur se prej kur Shabani, ish-punëtor i Doganës, i kishte shërbyer BIA-s serbe, për të akuzuarin Muharrem Qerimi, prokuroria pretendon se i njëjti ishte agjent i Serbisë që nga viti 2012 e deri në arrestimin e tij në 2024.
Pos informacioneve për UÇK-në, Qerimi vet një ish-punonjës i Policisë, ofronte edhe të tjera të dhëna për BIA-n, përfshirë emra të eprorëve të Policisë, AKI-së, IPK-së, emra të dëshmitarëve në raste të ndryshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar.