Të paktën dhjetë persona kanë vdekur pasi shpërtheu vullkani në malin Levotobi Laki-laki, në lindje të Indonezisë. Shpërthimi ndodhi afër mesnatës të së dielës, duke shkaktuar shtëllunga shpërthyese të llavës dhe duke detyruar autoritetet të evakuojnë disa fshatra përreth.
Vullkani në malin Levotobi Laki-laki, që gjendet në ishullin Flores, shpërtheu në orën 23:57, sipas kohës lokale, duke nxjerrë llavë, hi vullkanik dhe shkëmbinj vullkanikë, tha Hadi Wijaya, zëdhënës i Qendrës për Vullkanologji dhe Uljes së Rrezikut Gjeologjik.
“Pas shpërthimit, pati shkëputje të energjisë elektrike dhe më pas ra shi dhe kishte shkarkime rrufesh që shkaktuan panik te banorët”, tha ai për Reuters, duke shtuar se autoritetet kanë ngritur në nivelin më të lartë alarmin për rrezikun nga vullkani.
Qendra për Vullkanologji tha se duhet të pastrohet zona prej 7 kilometrash nga krateri.
Hadi tha se llava dhe shkëmbinjtë vullkanikë goditën vendbanimet rreth 4 kilometra larg nga krateri, duke djegur shtëpitë e banorëve.
Autoritetet në Indonezi thanë se të paktën shtatë fshatra janë prekur nga shpërthimi i vullkanit.
“Ne kemi nisur evakuimin e banorëve nga mëngjesi edhe në fshatrat e tjera që gjenden rreth 20 kilometra larg nga krateri”, tha ai.
Agjencia për fatkeqësi e Indonezisë tha se mund të ketë përmbytje. Qeveria lokale ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për 58 ditët e ardhshme që nënkupton se Qeveria mund të ndihmojë deri në 10.000 banorë të prekur.
Indonezia gjendet në “Unazën e Zjarrit në Paqësor”, një zonë ku ka aktivitet të madh sizmik dhe ka disa pllaka tektonike.
Shpërthimi i fundit pason një sërë shpërthimesh vullkanike. Në maj, një vullkan në ishullin Halmehera, në malin Ibu, detyroi shtatë fshatra të evakuohen. Vullkani në Sulavesi po ashtu shpërtheu në maj, duke detyruar 12.000 persona të evakuohen. Vërshimet dhe llava e ftohtë nga mali Marapi në Sumatra në maj vrau më shumë se 60 persona./Radio Evropa e Lirë