Të pasur në Facebook

Në botën virtuale të qeverisë qytetarët jetojnë mirë dhe Kosova është një vend i zhvilluar ekonomikisht. Në realitet situata është ndryshe. Por qeveria, nëpërmjet ministrit Hekuran Murati, e ka vendosur që të na bëjë të pasur në Facebook. Kush na ka faj ne që nuk po e shijojmë zhvillimin e madh ekonomik dhe mirëqenien e paparë deri më tash?

Hekuran Murati është ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës. Rrallë, shumë rrallë shfaqet në media, ndërkaq nuk resht të publikuari në rrjete sociale duke treguar se si qenka zvogëluar papunësia dhe rritur pagat.

Postimet e tij shpeshherë janë irrituese, sepse i drejtohen një shoqërie të varfër, me parametra ekonomikë madje larg mesatares së vendeve të rajonit, lëre më të Bashkimit Europian.

Por, Murati nuk ndalet. Ai dhe qeveria, pjesë e së cilës është, ngulmojnë t’i bindin qytetarët se ata jetojnë mirë, por sikur nuk po e kuptojnë mirëqenien që kanë arritur. Sikur provojnë t’i bindin ata se duhet besuar shifrave, jo realitetit në të cilin jetojnë.

Murati në statistikat e tij dhe lajmet që ua jep qytetarëve rrallë e përmend inflacionin, përkatësisht zhvleftësimin e të ardhurave të tyre. Tashmë secili e di që produktet që ke mundur t’i blesh me dhjetë euro në vitin 2021, kur Murati u bë ministër, tash kushtojnë shumë më shumë. Por, për ministrin duket se kjo nuk çon peshë. Ai e ka ndarë mendjen të na bëjë të pasur në Facebook.

Një studiues i mirë i trendeve ekonomike sqaroi para disa ditësh se karahasuar me vendet e rajonit, Kosova qëndron ekonomikmisht më së keqi. Sipas raportit të Bankës Botërore, në rajon Bruto Produkti Vendor (BPV/GDP) për kokë banori, pra vlera mesatare e ekonomisë për një qytetar, është mesatarisht 8967 dollarë amerikanë. Në Kosovë PBV është vetëm 6142 dollarë, përkatësisht 46 për qind nën mesataren e rajonit, përkatësisht 99.5 për qind më e ulët sesa vlera më e lartë e rajonit, Mali i Zi.

Por, ministri Murati këto nuk i thotë, sepse i prishet magjia e shifrave dhe zhvillimit ekonomik në Facebook, i prishet magjia e numrave të ulët të qytetarëve të papunë dhe i atyre të lartë të qytetarëve që janë punësuar.

* * *

Gjatë gati katër viteve të fundit të qeverisjes në Kosovë nuk ka ndodhur ndonjë investim serioz dhe as janë marrë masa serioze në të mirë të sektorit privat, që do të mund të përmirësonin ndjeshëm situatën në ekonomi. Edhe investimet në insfrastrukturë kanë qenë thuajse të papërfillshme. Në një situatë të tillë, nuk ka si të jetë ndryshe, as të ketë shifra të tjera.

Por ministrit Murati aq I bën. Ai thua se jeton në një botë virtuale, e jo në realitetin krejt ndryshe të Kosovës. Njësoj vepron edhe kryeministri Albin Kurti. Ai nuk ngurron të flasë për rritje ekonomike të qëndrueshme “madje përtej projeksioneve fillestare” të qeverisë. Si arsye për këtë ai, ndër të tjera, përmend mbështetjen për bizneset dhe qeverisjen e mirë. Ndërkohë, ankesat më të mëdha ndaj qeverisë i kanë pikërisht bizneset, ndërkaq “qeverisja e mirë” duket të ketë mbetur veç premtim i para sa vjetësh.

Deklaratat publike të njerëzve të pushtetit ka kohë që janë në shpërputhje me realitetin në të cilin jetojnë kosovarët. Mjafton të bëhen krahasime me vendet e rajonit dhe merret vesh lehtë ku jemi. Ose, mjafton që secila familje të bëjë vetë llogarinë e shpenzimeve dhe fitimeve karahasuar me katër vjet më parë dhe gjithçka është e qartë. Përndryshe, nëse qenka një qeverisje e mirë dhe këta super parametra të zhvillimit ekonomik, pse qytetarët nuk jetojnë më mirë, pse vazhdojnë të jenë të varfër krahasuar me të tjerët?

Sigurisht, ministri Murati mund të ketë përgjigje edhe në këtë pyetje, përgjigje nga ato surrealistet që nuk përkojnë me realitetin. Një përgjigje nga ato të mbështjella me demagogji mund ta ketë edhe kryeministri Kurti. Por, pyetja thelbësore, në të cilën ata duhet të japin përgjigje është: si të ndryshohet gjendja në terren? Një gjë e tillë është vështirë të ndodh me “qeverisjen e mirë” të deritashme thuajse në të gjitha fushat.

Dështimet në menaxhim qeveria po përpiqet t’i mbulojë me shifra e grafikonë në Facebook. Megjithatë, ato duken bukur dhe janë të vërteta vetëm në mendjet e pushtetarëve.

Të fundit nga rubrika