Gjykata Speciale, të premten e 16 dhjetorit, do të shpallë aktgjykimin lidhur me rastin e Salih Mustafës, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë.
Trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, tashmë ka caktuar datën 16 dhjetor 2022 për shpalljen e aktgjykimit ndaj Salih Mustafës.
Kështu është bërë e ditur në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ku thuhet se shpallja e aktgjykimit do të bëhet në orën 9:00.
“Trupi Gjykues I i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës, më 16 dhjetor 2022 në orën 9:00”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale.
Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.