Të paktën 10 persona kanë mbetur të vrarë e disa të plagosur pas të shtënave me armë zjarri në supermarketin “Walmart” në Chesapeake në Virginia në mbrëmjen e së martës.
Një burrë që besohej se ishte menaxheri i dyqanit, hapi zjarr dhe më pas ktheu armën kundër vetes dhe tani raportohet të ketë vdekur, raporton BBC.
Qyteti i Chesapeake në një njoftim në Twitter ka bërë të ditur se “policia ka konfirmuar incidentin me fatalitete”.
S’janë bërë të ditura detaje tjera, por një zyrtar policor ka thënë se nuk janë më shumë se 10 të vrarë dhe se ka disa të lënduar.
Zëdhënësi i Policisë, Leo Kosinski tha se të shtënat besohet të kenë ndodhur brenda dyqanit dhe se i dyshuari ka vepruar i vetëm.
Walmart tha se ishte “i tronditur nga kjo ngjarje tragjike” dhe se ishte “duke punuar ngushtë me zbatimin e ligjit”.
Sulmi i së martës në mbrëmje vjen vetëm disa ditë pasi një person i armatosur hapi zjarr në një klub nate LGBT në Colorado duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur 17 të tjerë.
Në vitin 2019, një sulm masiv në një Walmart në qytetin e El Paso në Texas, ka lënë 23 të vdekur.