Një incident ka ndodhur të martën në Pejë, ku një person ka tentuar të godasë një polic me veturë dhe më pas ka shtënë me armë zjarri drejt tij. Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari fillimisht ka tentuar të godasë policin me automjetin e tij, ndërsa ky i fundit po kalonte në vijat e bardha. Pasi polici arriti t’i shmanget goditjes, i dyshuari ka shtënë dy herë me armë zjarri nga dritarja e automjetit në drejtim të zyrtarit policor.
Për këtë rast ka reaguar Sindikata e Policisë së Kosovës [SPK] e cila ka shprehur shqetësimin për incidentin dhe e ka cilësuar si “akt kriminal e të papranueshëm” jo vetëm ndaj PK-së por “sulm të drejtpërdrejtë” ndaj Institucioneve të rendit dhe sigurisë publike.
“Shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për incidentin e rëndë ku një veturë me targa vendore ka tentuar ta godasë një zyrtar policor në detyrë. Zyrtari policor, për fat të mirë, ka arritur t’i shmanget goditjes nga kjo veturë, ndërkohë që i dyshuari, gjatë lëvizjes, ka shtënë me armë zjarri nga dritarja e automjetit. Falë reagimit të shpejtë dhe profesional të Policisë së Kosovës, i dyshuari është arrestuar dhe aktualisht po përballet me procedurat ligjore. Ky akt kriminal dhe i papranueshëm nuk përbën vetëm një sulm ndaj zyrtarit policor, por një sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, rendit dhe sigurisë publike”, thuhet në njoftim.
Sindikata në komunikatën për media ka bërë thirrje për ndëshkueshmërinë e autorit me dënimin maksimal.
“Sindikata i bën thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë me vendosmëri, duke siguruar që autori i këtij akti të përballet me dënimin maksimal që parashikon ligji. Sulmet ndaj zyrtarëve policorë nuk duhet të tolerohen dhe duhet të trajtohen me prioritet për të dërguar një mesazh të qartë se ligji dhe rendi janë të pacenueshëm. Zyrtarët policorë janë shtylla e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjes së institucioneve të shtetit. Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës, dhe çdo akt dhune ndaj saj duhet të dënohet fuqishëm nga të gjithë. Sindikata qëndron e palëkundur në përkrahje të çdo anëtari të Policisë së Kosovës dhe do të vazhdojë të kërkojë drejtësi dhe siguri maksimale për zyrtarët tanë”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Policisë së Kosovës.