“Të thërrasin Slloba i vogël”, “Daçiq është përgjegjës për krime lufte”- Përplasja Gërvalla-Daçiq në Këshill të Sigurimit

Gjersa e quajti “Sllobodan i vogël”, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se Serbia është kërcënimi më i madh për paqen në Ballkan. Ajo tha se homologu i saj serb, Daçiq është përgjegjës për krime lufte në Kosovë

Një përplasje e ashpër ka ndodhur në mes ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kësaj përplasjeje, i parapriu deklarata e Daçiq. Ky i fundit deklaroi se “Kosova është Serbi”.

“Nuk e konsiderojmë shtet Kosovën. Secili shtet e ka ‘Kosovën e vet’, për këtë arsye secili shtet po çuditet se si duhet t’i qasemi këtij problemi. Ne mendojmë se Kosova është Serbi. Ju nuk pajtoheni. A duhet ta fillojmë luftën? Duhet t’u rikujtojmë të gjithëve se Vuçiq nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje”, deklaroi ai, deklaratë e cila nxiti reagimin e Gërvallës.

Gjersa e quajti “Sllobodan i vogël”, Gërvalla tha se Serbia duhet t’iu tregojë qytetarëve të vet se Serbia humbi Kosovën në vitin ’99.

“Ju me deklarimet tuaja vetëm sa e treguat që pse njerëzit në Serbi ju kanë quajtur ‘Slloba i vogël’, ‘Sllobodani i vogël’. E kuptoj që jeni i zemëruar dhe këtë gjuhë të juaj e njoh që moti. Ju duhet t’u tregoni qytetarëve tuaj se e keni humbur Kosovën në vitin 1999…”, tha Gërvalla.

Gërvalla përmendi edhe krimet ndaj popullit shqiptar gjatë luftës së vitit 1999 dhe e krahasoi luftën në Kosovë me pushtimin aktual rus në Ukrainë. E njëjta e cilësoi Serbinë si kërcënimin më të madh për paqen në Ballkan.

Ndër të tjera, ministrja Gërvalla tha se ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, është përgjegjës për krime lufte të kryera në Kosovë.

“Do ta them në shqip dhe do ta them si një fjali të vetme edhe në serbisht: Ivica Daçiq është përgjegjës për vrasje masive, përdhunime si mjet lufte, si dhe për krime lufte, dhe ai duhet të sillet para një gjykate për krimet e luftës. Daçiq ishte krahu i djathtë i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit. Ai e nderoi atë si një hero dhe u bë pasardhësi i tij. Ai dhe Vuçiq ishin aleatët më të ngushtë të Millosheviqit. Ata janë bashkëpunëtorë të gjenocidit”, tha Gërvalla.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i tha ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Shwartz, se ishte ajo që ka mbledhur dëshmi për t’i akuzuar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

“Ju keni ndihmuar të akuzohet Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli për krime me dëshmitë që keni mbledhur nga familjarët e viktimave, pra juve ju kanë dalë në ndihmë viktimat e krimeve të kryera nga ana e Thaçit dhe Veselit”, tha Daçiq.

Gërvalla u kundërpërgjigj duke thënë se Thaçi e Veseli do ta dëshmojnë se ata dhe UÇK-ja nuk kanë kryer asnjë krim.

“Është e vërtetë që Thaçi është në Hagë, por jam e sigurt që ai do të dëshmojë se UÇK-ja, ai vetë dhe të tjerët që janë të akuzuar, kanë çdo argument në anën e tyre se janë të pafajshëm për çka janë akuzuar”, tha ajo.

Gërvalla gjithashtu tha se presidenti i Këshillit të Sigurimit për muajin prill, ambasadori rus, Vassily Nebenzia, ia mohoi asaj të drejtën për ta mbajtur fjalimin e saj në shqip. Nebenzia e mohoi këtë duke thënë se Gërvalla do të ishte lejuar të fliste në shqip, nëse do të kishte insistuar, transmeton Telegrafi.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që u mbajt në New York, ministres së Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiqit, iu lejua që të flasë në gjuhën serbe, por ministres Gërvalla iu ndalua të flasë në gjuhën shqipe, edhe pse ajo bëri një kërkesë për këtë gjë.

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika