Vendimet për pozicion jashtë loje të VAR-it do të jenë më të shpejta dhe më të sakta në Kupën e Botës pas prezantimit të teknologjisë së re të zhvilluar nga FIFA gjatë tre viteve të fundit, tha të premten shefi i arbitrave Pierluigi Collina.
Teknologjia gjysmë automatike për të vërtetuar pozitën jashtë loje do të vendosë edhe për vendimet më të ashpra në pozicion jashtë loje më shpejt se në sistemin e mëparshëm dhe një paraqitje e animuar 3D e incidentit do të transmetohet për tifozët në stadium dhe në TV, shkruan Reuters.
“(Kjo) na jep mundësinë të jemi më të shpejtë dhe më të saktë për sa i përket vendimeve për pozicion jashtë loje,” u tha Collina gazetarëve në një konferencë përpara turneut.
“Për të qenë të qartë, të qenit më të shpejtë nuk do të thotë se do të kemi vlerësim të menjëhershëm të pozicionit jashtë loje. Do të jetë më pak se tani, sigurisht, por nuk mund të kemi një përgjigje për një sekondë, ose në thelb live”.
“Një gjë që dua të nënvizoj është se vendimi përfundimtar i takon gjithmonë zyrtarit të ndeshjes – në VAR, video ndihmës arbitri, në fushën e lojës, gjyqtarit”.
Dymbëdhjetë kamera në çdo stadium do të gjurmojnë 29 pika në trupin e secilit lojtar dhe një sensor brenda topit të ndeshjes do të dërgojë të dhëna në dhomën e operacioneve VAR 500 herë në sekondë për të lejuar një vlerësim shumë të saktë se kur është luajtur pasimi.
Teknologjia e re tashmë është provuar në dy turne të FIFA-s dhe në ndeshje testuese në të gjitha stadiumet që presin ndeshjet e Kupës së Botës.