Një gjykatë federale apeli, lëshoi një urdhër të martën në mbrëmje që ndalon përsëri shtetin e Teksasit të arrestojë emigrantët e dyshuar për hyrje të paligjshme në SHBA. Veprimi i gjykatës erdhi disa orë pasi Gjykata e Lartë kishte lejuar që ligji i ri i imigracionit i Teksasit të hynte në fuqi, duke hedhur poshtë përpjekjet e administratës së presidentit Joe Biden për ta bllokuar atë. Ligji do të lejonte çdo oficer të zbatimit të ligjit në Teksas të arrestonte personat e dyshuar për hyrje të paligjshme në vend të cilët më pas do të dëboheshin nga SHBA ose do të ndiqeshin penalisht.
Ligji konsiderohet nga kundërshtarët e tij si përpjekja më dramatike e një shteti për të kontrolluar imigracionin.
Ai parashikon që çdo oficer i zbatimit të ligjit në Teksas të lejohet të arrestojë personat e dyshuar për hyrje të paligjshme në vend. Pasi të dërgohen në paraburgim, migrantët mund të bien dakord me urdhrin e një gjykatësi të Teksasit për t’u larguar nga SHBA-ja ose do të ndiqen penalisht me akuza për kundërvajtje për hyrje të paligjshme.
Oficerët e arrestimit duhet të kenë arsye, e cila mund të përfshijë dëshminë për hyrje të paligjshme ose ta kenë parë vetë hyrjen e paligjshme në SHBA me video.
Të martën, gjashtë anëtarët konservatorë të gjykatës votuan të lejojnë zbatimin e ligjit dhe tre gjyqtarët liberalë votuan kundër, duke thënë se veprimi i së martës e përmbys autoritetin mbi imigracionin, një çështje që zakonisht është komptencë e qeverisë federale.
“Ne besojmë se ky është gjithashtu një sulm ndaj qytetarëve amerikanë me ngjyrë, duke lejuar këtë autoritet të madh në shtete, të bëjë kontrolle nëse dikush është në këtë vend me dokumente apo jo. Ky projektligj nuk vlen vetëm për ato qarqe përgjatë kufirit, por për të gjitha 250 qarqet e Teksasit”, vlerësoi pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ligjvënësi demokrat në Teksas, Armando Walle.
Departamenti i Drejtësisë u kishte kërkuar gjykatësve ta ngrinin urdhërin gjyqësor që lejonte ligjin të hynte në fuqi ndërkohë që procesi që e kundërshton atë vazhdon në gjykatat më të ulëta.
“Mendoj se është politika e duhur për shtetin e Teksasit. Na duhet një kufi i sigurt. Ky nuk është thjesht një ideal republikan. Të pavarurit dhe madje edhe disa demokratë duan të sigurojnë kufirin”, thotë Dade Phelan, udhëheqës i Dhomës së Përfaqësuesve të Teksasit.
Përpjekjet nëpër gjykata për të lejuar apo bllokuar zbatimin e ligjit të ri filluan dhjetorin e kaluar menjëherë pasi guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbott nënshkroi ligjin e ri.
“Unë kam përdorur një klauzolë në Kushtetutë që fuqizon shtetet të mbrojnë veten”, tha guvernatori Abbott.
Ministrja e Jashtme e Meksikës thotë se ligji i Teksasit është diskriminues.
“Ndodhemi në një moment kritik ku Gjykata e Lartë e SHBA-së miratoi ligjin i cili është ksenofob dhe diskriminues. Ky ligj thotë se në Teksas çdo migrant apo çdo person që qarkullon kudo në Teksas mund të ndalohet nga autoritetet dhe mund të futet në burg ose të deportohet, edhe nëse jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara”, tha ministrja e Jashtme e Meksikës, Barcena.
Republikanët kanë kritikuar ashpër politikat e presidentit demokrat, Joe Biden për trajtimin e numrit rekord të emigrantëve të kapur duke kaluar ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë.
Arrestimet për kalime të paligjshme u përgjysmuan në janar. Në muajin dhjetor, në Teksas, u arrestuan 250 mijë persona. Arrestimet në sektorin Del Rio të Patrullës Kufitare, ku guvernatori Abbott ka përqëndruar më së shumti përpjekjet për të ndaluar kalimet e paligjshme të kufirit, ranë 76% nga muaji dhjetor. Lugina e Rio Grandes, korridori më i ngarkuar për kalimet e paligjshme për pjesën më të madhe të dekadës së fundit, regjistroi arrestimet e tij më të pakta që nga qershori i vitit 2020.
Qyteti Tucson në Arizona, ka qenë korridori më i ngarkuar në muajt e fundit, i ndjekur nga San Diego në janar, por arsyet për ndërrime të papritura të rrugëve të kalimit të paligjshëm të kuifirit janë shpesh të ndërlikuara dhe diktohen nga organizatat e kontrabandës./VoA