Televizioni shtetëror i Iranit ka thënë se disa ekipe për shpëtim janë duke tentuar të arrijnë te një helikopter i përfshirë në “incident”, në të cilin ka qenë presidenti i vendit, Ebrahim Raisi.
Televizioni nuk ka dhënë më shumë hollësi lidhur me ngjarjen, raporton Reuters.
Deri më tani nuk ka ndonjë informacion të konfirmuar nga autoritetet iraniane.
Presidenti iranian, Raisi ka qenë duke udhëtuar në Azerbajxhanin Lindor, provincë iraniane.
Ndërsa, televizioni shtetëror ka thënë se incidenti ka ndodhur afër Xholfas, qytetit në kufi me shtetin e Azerbajxhanit, rreth 600 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit iranian, Teheranit.
Televizioni ka thënë se ekipet e shpëtimit kanë tentuar të arrijnë te zona e incidentit, mirëpo janë duke u penguar nga kushtet e këqija atmosferike.
Në atë zonë është raportuar për shira të rrëmbyeshëm dhe erë të fortë.
Raisi ka qenë në Azerbajxhan të dielën, për të inauguruar një digë, bashkë me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Raisi, 63-vjeçar, është zyrtar i linjës së ashpër që paraprakisht ka udhëhequr sektorin e gjyqësorit.
Ai është i afërt me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei dhe disa analistë sugjerojnë se ai mund të zëvendësojë liderin 85-vjeçar, pas vdekjes së tij, apo heqjes dorë nga pushteti.
Raisi i ka fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2021, proces që është konsideruar me daljen më të ulët të popullit në historinë e Republikës Islamike.