Presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kanë diskutuar me tone të larta në Shtëpinë e Bardhë – Zelensky i ka kërkuar Trumpit të jetë më i kujdesshëm me Rusinë, ndërsa Trump e ka akuzuar se nuk është duke treguar respekt, dhe si rezultat është tensionuar situata.
Dy liderët janë takuar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, pak para një organizimi në të cilin pritet të nënshkruajnë një marrëveshje që i jep qasje Shtëpisë së Bardhë në industrinë e mineraleve të Ukrainës.
Mirëpo, Zelensky e ka sfiduar hapur Trumpin për qasjen, siç ka thënë ai, të butë ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.
Zelensky i ka hedhur poshtë pretendimet e Trumpit se qytetet ukrainase janë kthyer në gërmadha pas tre vjetëve të luftës. Trump, në anën tjetër, ka thënë se Putin dëshiron të arrijë një marrëveshje.
“Jeni duke bërë bixhoz me Luftën e Tretë Botërore”, i ka thënë Trump Zelenskyt në një pikë, duke i kërkuar që të jetë më falënderues.
Nënpresidenti amerikan, JD Vance është përfshirë në diskutime, dhe i ka thënë Zelenskyt se nuk është e hijshme që të mbajë këtë qëndrim në Shtëpinë e Bardhë.
“Njerëzit janë duke vdekur, jeni duke mbetur pa ushtarë”, i ka thënë Trump Zelenskyt, teksa diskutimi ka degjeneruar me ngritje të zërit.
Trump i ka thënë Zelenskyt se ai, ose duhet të arrijë një marrëveshje, ose SHBA-ja tërhiqet.
Zelensky i ka bërë thirrje Trumpit të mos bëjë “kompromise me një vrasës” duke iu referuar liderit rus.
Para këtij shkëmbimi, Zelensky u ka thënë gazetarëve brenda Shtëpisë së Bardhë se shpreson që marrëveshja për minerale do të jetë një hap përpara për Ukrainën dhe që dëshiron të diskutojë më në hollësi me Trumpin se çfarë mund të bëjë SHBA-ja për vendin e tij.
Trump ka thënë se marrëveshja do të jetë “shumë e drejtë” dhe që armëpushimi në luftën e Rusisë kundër Ukrainës është “afër”. Presidenti amerikan ka thënë se Ukraina do të duhet të bëjë kompromise.
Zelensky i ka treguar Trumpit fotografi të mizorive ruse dhe ka thënë se “nuk duhet të ketë kompromise me një vrasës të shtetit tonë”.
Ky takim i nivelit të lartë do të vëzhgohet nga afër, për të kuptuar nëse Shtetet e Bashkuara do të zotohen për më shumë ndihmë për Kievin, apo të premtojnë ndonjë garanci të sigurisë.
Takimi zhvillohet më pak se 10 ditë pasi Trump e ka quajtur Zelenskyn diktator dhe ka sugjeruar gabimisht se Ukraina e ka nisur konfliktin, që tashmë ka hyrë në vitin e katërt.
Megjithatë, dy liderët janë zmbrapsur nga lufta e fjalëve, teksa janë përgatitur për t’u takuar ballë për ballë./Radio Evropa e Lirë