Një takim i gjatë mbrëmjen e së hënës në mes të Albin Kurtit në njërën anë dhe Gabriel Escoabarit në anën tjetër, duket se ka përfunduar pa as edhe një rezultat. Pak a shumë një gjë të tillë e ka thënë vetë i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, gjatë një takimi me gazetarë këtë të martë.
Ai ka përmendur faktin që Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar fare me partnerët për veprimet në veri dhe për një gjë të tillë Escobar është shprehur i “hutuar”.
“Pra, pse këto objekte, pse nën këto kushte dhe pse pasi i kemi pyetur për koordinim – madje kemi thënë që qëndrojmë prapa tyre – ata nuk u koordinuan? Kjo nënkupton që kjo do të thotë diçka për atë se si na shohin si partnerë dhe kjo ka pasur pasoja. Kam parë njerëzit që përdorin fjalën ‘sanksione’, nuk janë sanksione – ne po shohim se po bëhen zgjedhje pavarësisht partneritetit tonë dhe ky është një sinjal për ne. Ne nuk mund ta pranojmë këtë si sinjal, prandaj në një pikë kur duam të rivendosim koordinimin dhe partneritetin me qeverinë, ne qëndrojmë në gjendje gatishmërie, sepse ne do të qëndrojmë gjithmonë me popullin e Kosovës, por kjo nuk do të thotë që duhet të qëndrojmë edhe me individë që nuk e ndajnë instinktin e njëjtë për të bashkëpunuar dhe për t’u koordinuar. Dhe, më duhet të them se ne jemi krejtësisht të hutuar pse ka mungesë të koordinimit dhe mungesë të fleksibilitetit në vizionin politik me BE-në dhe ShBA-në – që janë aleatët tuaj më të mëdhenj – për ta kaluar këtë dhe për të ecur përpara në mundësitë që janë prezantuar”, ka thënë ai.
I pyetur se cilat janë pasojat për Kosovën për këtë moskoordinim, Gabriel Escobar nuk ka qenë shumë konkret, por ka thënë se ato mund të jenë afatgjata.
“Do të them një gjë. Nuk janë ShBA-të, është i gjithë komuniteti transatlantik – nuk jemi ne, nuk janë 27 vendet e BE-së, ShBA-ja dhe Britania e Madhe – ne shohim gjërat në mënyrën e njëjtë dhe jemi mbështetës. Vjen prej diku tjetër dhe po – mund të ketë pasoja afatgjate”, ka vijuar Escobar.
Duke folur për mënyrën se si duhet të tejkalohet kjo situatë, Gabriel Escobar ka përmendur tre hapa.
“E para është deeskalimi, derisa e dyta është që do të donim të shihnim zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve dhe e treta – duhet të lëvizim menjëherë në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit që do të thotë se duhet të shohim përpjekje të vërtetë nga Kosova për t’u angazhuar për Asociacionin dhe ne duhet të shohim po ashtu hapa nga Serbia. Kjo duhet të ndodhë tani dhe për këtë duhet të pajtohemi sot dhe nesër, sepse të premten Miroslav dhe unë do të raportojmë te udhëheqësit tanë nëse kemi pasur sukses ose jo”, ka thënë Escobar.
Por, çfarë do të mund të raportojë tek eprorët e tij Gabriel Escobar?
“Do të çojë një sinjal të fuqishëm që Kosova nuk është e interesuar për t’u koordinuar me ne, dhe mendoj që kjo do të ishte fatkeqësi. Përndryshe, jo Kosova, por kryeministri. Dua ta bëj shumë të qartë se ne nuk e shohim këtë që do të afektojë në marrëdhëniet afatgjata, por veprimet që merren ose nuk merren mund të kenë disa pasoja që do të prekin pjesë të marrëdhënies – nuk dua të hyj aty”, ka shtuar Escobar.