Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Në njoftimin e policisë thuhet se krahasuar me ditët e tjera, situata e sigurisë sot në veri ka qenë kryesisht e qetë, përjashtuar në komunën e Leposaviqit ku ka pasur sulme ndaj mediave.
Tutje, thuhet se pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale, si dhe dëmtimi i automjeteve janë veprime kriminale, të cilat do të hetohen nga Policia e Kosovës.
“Sot, situata e sigurisë në veri të vendit ka qenë e brishtë, por kryesisht e qetë, përjashtuar në komunën e Leposaviqit ku kohë pas kohe është tensionuar, pasi protestuesit/grupet kriminale kanë penguar dhe sulmuar me gjësende të ndryshme, të forta, gazetarë të mediave të ndryshme. Po ashtu, edhe disa vetura të mediave, të cilat kanë qenë të parkuara në lokacione të ndryshme, janë sulmuar dhe dëmtuar nga mjetet e forta të hedhura brenda dhe jashtë veturave”, thuhet në njoftim.
Në orët e pasdites, protestat pranë objekteve të tri komunave në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan kanë përfunduar, përjashtuar një numër i vogël i protestuesve vazhdojnë të qëndrojnë pranë komunës së Leposaviqit.
Policia ka bërë të ditur se monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucionet relevante të sigurisë kanë vazhduar në të gjitha lokacionet.