Kanë kaluar pothuajse dy javë që nga plagosja e një çifti në rrugën “Bislim Zekolli” të Prishtinës.
Banorë të lagjes që njihet si “Xhambazët”, nuk ishin shprehur të habitur nga rasti, ngase të njëjtit patën thënë se ishin familjarizuar me problemet mes dy familjeve.
Në ditën e të shtënave më 16 shkurt, policia kishte arrestuar tre të dyshuar.
E mbrëmë, në prangat e policisë ka rënë edhe i dyshuari tjetër që ishte në kërkim që nga ajo kohë.
“Lidhur me rastin, më datë 23.02.2024, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i mitur. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, kanë njoftuar Policia e Kosovës.
E tanimë, i mituri po përballet me dy akuza.
“Ju njoftojmë se për të miturin, Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, për shkak të veprës penale ‘Vrasja në tentativë’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’, sipas KPRK-së”, ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Rasti nga prokuroria fillimisht është iniciuar si “vrasje në tentativë”, ndërsa nuk është raportuar se ka pasur armë zjarri të konfiskuara nga policia.
Televizioni ka pyetur nëse i njëjti kishte raste penale në të kaluarën, por nuk ka pranuar përgjigje.