Në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të mërkurën e shtatë shtatorit është zhvilluar një aktivitet nga Partia Socialdemokrate.
Një tepih i kuq, shtrirë në shkallët e objektit të Emergjencës, që duket se do të hyjë në një vend luksoz e plot glamur, është mesazhi i PSD-së që duan t’ia përçojnë ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Kjo për shkak se sipas PSD-së, nuk ka ndodhur as edhe një ndryshim i vetëm i inicuar nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
PSD-ja përmes këtij aktiviteti e ka ftuar ministrin që ta vizitojë dhe ta shoh gjendjen në QKUK, “t’i zbresë aeroplanit ndonjëherë ose le të japë dorëheqje”.
Një nga aktivistet e PSD-së, teksa ka treguar arsyen e këtij aktiviteti ka thënë se gjendja në QKUK është shumë e rëndë.
“Për këtë arsye e kemi sjellur këtë qilim të kuq, këtë tepih që ndoshta do ta bindim ta fillojë punën, ndoshta ky luks e ky glamur ka me nxit atë që të vijë të shoh gjendjen dhe të bëjë diçka për shëndetësinë në Kosovë sepse është e qartë që ky ministër është jashtë realitetit të Kosovës”, ka thënë ajo.

Ajo ka theksuar se në spitale nuk ka ndryshuar asgjë, sepse siç thotë ajo ndryshimi nuk është propagandë as poezi.
“Është shërbime shëndetësore cilësore, është shëndet më i mirë i qytetarëve, e krejt çka na ka dhënë kjo qeveri janë dy ministra, dy figurat kryesore të shëndetësisë, njëri prej tyre Arben Vitia që është sot drejtor i spitalit privat e tjetri ministri Rifat Latifi i cili nuk po zbret prej aeroplanit”, shtoi ajo.
Ajo ka potencuar se pacientët ende përballen me listat e gjata të pritjes, me mungesë të theksuar të barnave.
“Menaxhimi me to është fizikë kuantike, sallat e operacionit janë të mbyllura e mjekët po shkojnë në spitale private e po migrojnë për në Gjermani. Çfarë po bën minsitri jonë i shëndetëisë, po lobon për liberalizim të vizave. Kemi pritur që ky misnitër diku ka me fillu punën e ne as po e shohim ministrin as po e vërejmë punën e tij”.
Po ashtu, aktivistja ka thënë se realiteti në Kosovë është migrimi i mjekëve nga vendi.
“A e dini se cili është realiteti në Kosovë?Çdo dy ditë një mjek migron nga Kosova, veq në 6 muajt e parë të këtij viti kanë migruar 95 mjekë e pritet që deri në fund të vitit 200. 600 mjekë të tjerë janë të papunë, ky është paradoksi i mospunës të kësja qeverie, nuk përkujdeset as për të papunët e as për të punësuarit”.