Prokurorja Sadije Muriqi, e cila është prokurore në departamentin e përgjithshëm në Pejë, mund të përballet me masa disiplinore, në rast se ka bërë shkelje kur është tërhequr nga aktakuza për Ngacmim.
Me ankesën që pala e dëmtuar, Gjylbehare Murati ka bërë muajin e kaluar, janë duke u marr Këshilli Prokurorial i Kosovës, e kryeprokurori i Prokurorisë në Pejë.
Në një përgjigje për televizionin, nga KPK-ja shkurt kanë thënë se kanë pranuar ankesën e profesoreshës Gjylbehare Murati, dhe se për detaje duhet t’i drejtohemi Prokurorisë në Pejës.
“Ju informojmë se lidhur me këtë rast, më datën 25.03.2024, ka arritur në Këshillin Prokurorial njoftimi i Autoritetit Kompetent nga Prokuroria Themelore në Pejë brenda afatin ligjor të paraparë lidhur me këtë ankesë, andaj ju lutem për më tepër drejtojuni kësaj prokurorie”, tha Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Në shkresën që kryeprokurori i Pejës, i ka dërguar Muratit thuhet se kanë shqyrtuar në mënyrë të detajuar ankesën e saj dhe se brenda afatit të arsyeshëm do shqyrtohet besueshmëria e ankesës.
Derisa vetë Murati thotë se shpreson se institucionet do të merren me këtë dhe Prokuroria do të vihet para përgjegjësisë, derisa tregon se çfarë ka përfshirë në ankesë.
“Mungesë të profesionalizimit, shkelje të etikës nga ana e prokurorit kjo ka qenë, sepse prej fillimit seancën e parë që kam pasur me të, kjo ka qenë prokuroria e tretë në rasrt, prokuroria e parë që e ka ngrit aktakuzën nuk jam takuar me të…Gjatë seancës së shqyrtimit un i vërejta disa parregullsi, po tju them të drejtën nuk kisha shumë përvojë, dhe më kapi një shqetësim dhe e pashë që nuk është në rregull, edhe pyetjet e saj sygjestive, dhe erdhi këtu, ajo as emrin nuk ma ka ditur, më është drejtuar me emër tjetër”, tha Gjylbehare Murati, profesoreshë.
Murati shton se për këtë rast do t’i drejtohet edhe Gjykatës së Apelit, dhe beson se rasti i saj do të gjejë drejtësi.
“Po du me i besu institucioneve të Kosovës, edhe pse jemi zhgënjyer edhe pse ka raste që na dekurajojnë për mos kërku drejtësi, unë jam prej atyre që do kërkojë drejtësi dhe nuk do e lë me kaq”, tha Murati.
Prokurorja Muriqi, u tërhoq nga aktakuza ndaj dy të rinjve, e cila u ngrit më 2021, në seancën e fundit, nën arsyetimin se nuk kishte prova të mjaftueshme.
Dy ish-studentët e Muratit akuzoheshin për ngacmim ndaj saj.