Janë tërhequr 25 për qind e zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga objektet komunale në veri të Kosovës dhe zonave përreth tyre.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Pas pranimit të vendimit të Qeverisë nga ana e Menaxhmentit të Policisë, i njëjti është dërguar në teren për ekzekutim. Vendimi i Qeverisë së Kosovës ka filluar të implementohet dje dhe ka përfunduar sot”, ka deklaruar Elshani.
Një vendim i tillë vjen pas dakordimit të arritur në Bratisllavë në mes të emisarit Lajçak dhe zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi. Në pikat e dakordimit përfshihej tërheqja e zyrtarëve policorë në masën prej 25 për qind nga objektet komunale në veri.
Ndryshe, situatat e tensionuara kanë qenë evidente qysh nga fundi i majit të këtij viti, me zgjedhjen e kryetarëve të rinj. Zgjedhja e tyre u kundërshtua dukshëm nga banorët serbë, të cilët mbajtën protesta në vazhdimësi.