Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, e ka bërë tërheqjen e shortit për renditjen e kandidatëve dhe subjekteve politike për dy proceset zgjedhore në katër komunat e veriut të Kosovës, të cilat do të mbahen më 18 dhe 25 dhjetor 2022.
Në garë për katër komuna janë pesë subjekte politike, tri prej të cilave janë edhe në garë për dy kuvendet komunale.
Subjekti politik Iniciativa qytetare ka tërhequr numrin 111. Subjekti PDK ka tërhequr numrin 112, Partia Kosovski Srba ka tërhequr numrin 113, Kandidatja e pavarur, Sladjana Pantoviq, ka tërhequr numrin 114, Subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje ka tërhequr numrin 115.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se KQZ që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve ka marrë të gjitha hapat për t’i përgatitur këto dy procese zgjedhore.
“Pavarësisht sfidave që paraqiten në këtë kohë, KQZ mbetet e përkushtuar për t’i kryer detyrat e veta. Angazhimi ynë për zgjedhje të lira dhe demokratike është i përhershëm”, ka thënë ai.
Ndryshe, të martën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se më gjashtë dhjetor ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Në njoftimin e KQZ-së thuhet se afati i aplikimit për këtë periudhë do të përfundojë më nëntë dhjetor të vitit 2022.
“Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim, për të votuar përmes postës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në njoftim thuhet se edhe ata që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë.
KQZ-ja ka inkurajuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i plotësojnë kriteret ligjore përkatëse – që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj, pas regjistrimit të votojnë përmes postës, gjatë periudhës e cila fillon më 17 dhjetor dhe përfundon më 23 dhjetor 2022.
Dymbëdhjetë kandidatë janë certifikuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovë, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahen më 18 dhjetor.
Këto zgjedhje erdhën si rezultat i dorëheqjes së kryetarëve serbë, pjesë e Listës Serbe, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.