Mjekët në Afganistan kanë raportuar për BBC-në se shumë fëmijë mund të jenë vrarë nga tërmeti i së mërkurës.
Më shumë se një mijë njerëz vdiqën nga tërmeti më vdekjeprurës në dy dekada. Shiu i dendur dhe rrugët e dëmtuara po pengojnë punonjësit e shpëtimit.
Numër i pazbuluar i njerëzve kanë mbetur në rrënojat e shtëpive të rrënuara nga tërmeti me magnitudë 6.1 në një thellësi prej rreth 51 km.
Autoritetet talebane kanë bërë thirrje për më shumë ndihmë ndërkombëtare. Rrjetet e komunikimit janë, gjithashtu, të goditura.
“Ne nuk mund të arrijmë në zonë, rrjetet e komunikimit janë shumë të dobëta”, ka thënë një zëdhënës i talebanëve për Reuters.
Kombet e Bashkuara përpiqen të ofrojnë strehim urgjent dhe ndihmë ushqimore për zonat e largëta në provincën Paktika të goditur më keq. Sistemi shëndetësor i Afganistanit po përballej me kolapsin edhe para katastrofës.
Po ashtu, të mbijetuarit dhe shpëtuesit kanë raportuar për BBC-në, për fshatrat e shkatërruar plotësisht pranë epiqendrës së tërmetit, për rrugët e rrënuara dhe kullat e telefonave celularë, gjithashtu edhe për frikën e tyre se numri i të vdekurve do të rritet më tej.
Rreth një mijë e 500 njerëz kanë mbetur të plagosur, shumica e viktimave deri më tani kanë qenë në rrethet Gayan dhe Barmal të Paktikas. Vendasit raportojnë se dhjetëra fshatra janë shembur.
Një grua në spitalin e qytetit të Paktikas u ka thënë gazetarëve se kishte humbur 19 anëtarë të familjes.
“Shtatë në një dhomë, pesë në një tjetër, katër në një tjetër, pastaj tre në një tjetër, të gjithë janë vrarë në familjen time”, ka thënë ajo nga shtrati i saj në spital.
Afganistani është i prirur ndaj tërmeteve, pasi ndodhet në një rajon tektonikisht aktiv.
Sipas zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, gjatë dekadës së fundit, më shumë se shtatë mijë njerëz janë vrarë nga tërmetet në vend, mesatarisht 560 vdekje në vit nga tërmetet.
Së fundmi, tërmetet e njëpasnjëshme në perëndim të vendit në janar vranë më shumë se 20 njerëz dhe shkatërruan qindra shtëpi.
Edhe para marrjes së pushtetit nga Talibanët, shërbimet e urgjencës së Afganistanit ishin shtrirë për t’u marrë me fatkeqësitë natyrore – me pak avionë dhe helikopterë në dispozicion të shpëtimtarëve.
Vendi po përjeton, gjithashtu, një mungesë akute të furnizimeve mjekësore dhe normat e kequshqyerjes janë në rritje.
Sipas OKB-së, 93% e familjeve në Afganistan vuajnë nga pasiguria ushqimore. Lucien Christen, nga Kryqi i Kuq, tha se “situata e rëndë ekonomike” e Afganistanit do të thotë se “ato familje afgane nuk janë në gjendje të vendosin ushqim në tryezë”.
Tërmeti i fuqishëm në Afganistan, la të vdekur të paktën 255 persona