Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, ka uruar të martën besimtarët myslimanë në prag të Festës së Kurban Bajramit, e cila fillon të mërkurën, më 28 qershor.
Tërnava ka theksuar se kjo festë ka domethënien e “paqes, drejtësisë, unitetit dhe mirëkuptimit”.
Pak ditë para shënimit të kësaj feste, në Arabinë Saudite ka nisur pelegrinazhi i përvitshëm i Haxhit, një ritual i njohur si një prej pesë shtyllave të Islamit.
“Sot në këtë ditë të madhe, ditën e Arafatit, kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj, dhe në emër tim të iu bashkëngjitëm lutjeve e adhurimeve të besimtarëve të myslimanë, që sot gjenden në rrafshnaltën e Arafatit… Në mesin e miliona hanxhinjve nga e gjithë bota që sot gjenden në Arafat, janë edhe besimtarët tanë nga Kosova dhe viset tjera, të cilët në formën më të mirë, me lutje e adhurim, të përkushtuar, pa dallim statusi shoqëror, shprehin përkushtimin e tyre ndaj krijuesit”, ka deklaruar Tërnava.
Ai ka thënë se festa e Kurban Bajramit te ne vazhdimisht ka përçuar në formën më të mirë të mundshme, “shpresën, begatinë, solidaritetin, ndihmën për tjetrin, urtësinë, paqën dhe mirëkuptimin”.
“Vlera që këto që shoqërisë i japin kuptim dhe këtë na e kërkon edhe krijuesi ynë”, ka thënë ai.
Duke reflektuar për situatën e vështirë dhe konfliktet që po përjetojmë në botë, Myftiu Tërnava ka shprehur shpresën që mesazhi dhe porositë e Festës së Kurban Bajramit të kuptohen drejt nga të gjithë.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje për paqe, drejtësi, unitet dhe mirëkuptim në botë.
“Sot po jetojmë në kohë trazirash, luftërash pasiguri, konflikte e frikë. Në këtë ditë të madhe, në vigjilje të Kurban Bajramit lutemi që mesazhi dhe porositë që i bart kjo festë të kuptohet drejtë nga të gjithë. Lutemi po ashtu që bota të ketë sa më pak konflikte, ngatërresa e çrregullime. Festa e Kurban Bajramit ka domethënien e paqes, drejtësisë, unitetit e mirëkuptimit”, ka deklaruar ai.
Festa e Kurban Bajramit është e dyta pas Fitër Bajramit, e cila shënohet rreth dy muaj më herët, dhe të dyja konsiderohen ndër festat më të rëndësishme në besimin islam.