Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, ka mbajtur një fjalim të rëndësishëm në konferencën shkencore të organizuar për nder të ish-myftiut dhe ish-diplomatit të njohur të Kosovës, doktor Rexhep Boja.
Në konferencën e titulluar “Myftiu dr. Rexhep Boja – prijës vizionar dhe burrështetas i shquar”, Tërnava ka theksuar se kontributi i Bojës ishte shumëdimensional, duke përfshirë rolin e tij në forcimin e institucioneve fetare, edukimin e brezit të ri dhe angazhimin e tij për çështjen kombëtare.
Përmes kësaj konference, Tërnava u shpreh me bindje se studiuesit dhe shkencëtarët e pranishëm do të nxjerrin në pah shumë nga punët dhe kontributet e mëdha të doktor Rexhep Bojës, duke ruajtur dhe nderuar trashëgiminë e tij të çmuar për institucionet, popullin dhe shtetin e Kosovës.
“Me doktor Bojën kam pasur fatin që një pjesë të jetës ta kalojmë së bashku, duke qenë në forumet dhe institucionet e BIK-ut, por jo vetëm. Nga ku kam njohur, ndjerë dhe përjetuar urtësinë, vizionin, përkushtimin, përgjegjësinë dhe vendosmërinë e tij. Prandaj, e kam të vështirë që në këtë rast të zgjedh nga të filloj të flas për kontributin e doktor Rexhep Bojës, për BIK-un dhe institucionet e saj. Si dhe nuk di nga ta nis që të përmend angazhimin e tij për çështjen kombëtare në përgjithësi dhe çështjen e Kosovës në veçanti. Kjo sepse kontributi i doktor Bojës është i shumanshëm dhe shumëdimensional. E them këtë me përgjegjësi të plotë, ngase isha njëri nga shokët më të afërt të doktor Rexhep Bojës. Andaj, kam bindjen se kjo konferencë dhe këta shkencëtarë e hulumtues do të nxjerrin në dritë një pjesë të punës dhe kontributit të doktor Bojës”, ka thënë Tërnava.
Tërnava përmendi se Rexhep Boja, si udhëheqës shpirtëror dhe kryetar i BIK-ut, kishte luajtur një rol të rëndësishëm gjatë viteve të vështira të viteve ’90, duke drejtuar institucionin në kohë të trazuara, kur Kosova dhe populli i saj po përballeshin me represionin e regjimit serb.
Përveç rolit të tij në institucionet fetare, Tërnava ka treguar se Boja shquhej për përpjekjet e tij për të promovuar të drejtat fetare dhe politike të shqiptarëve, si dhe për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për çështjen e pazgjidhur shqiptare në Kosovë.
“Kontributi i doktorit, siç e kemi quajtur ne kolegët e tij, është i paçmuar për sesionet tona, për vendin tonë e për shtetin tonë. Çdo detyrë dhe përgjegjësi që iu besua doktorit, me profesionalizëm, me qetësi dhe urtësi, e ka përmbushur. Edhe si imam, edhe si profesor në Medrese dhe në Fakultetin e Studimeve Islame, si dekan, si myfti. Ishte një model se si duhet qasur xhematit dhe besimtarëve, apo si duhet edukuar me përkushtim brezi i ri në rrugën e Zotit dhe të kombit. Ne si BIK patëm fatin e mirë që në vitet ’90 të shekullit të kaluar patëm në krye doktor efendi doktor Rexhep Bojën, i cili, me gjithë udhëheqjen e BIK-ut, e mori në ditët dhe kohët më të vështira që po kalonte i gjithë populli dhe vendi ynë. Ai, me vizionin dhe urtësinë e tij që e karakterizonte gjithmonë, arriti që BIK-un ta udhëheqë drejt pavarësisë dhe mëvetësisë.
Përveç udhëheqës shpirtëror dhe kryetar i BIK-ut, doktori Boja do të shquhej për kontributin e tij për përparimin kombëtar të shqiptarëve nën Jugosllavi. Në përpjekje për t’i mbrojtur të drejtat fetare dhe politike të shqiptarëve, dhe për ta bërë të njohur para opinionit botëror çështjen e pazgjidhur shqiptare. Kudo që shkoi, BIK-un dhe rrjedhimisht Kosovën dhe popullin e saj e prezantoi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke thyer stereotipet e ish-Jugosllavisë. Doktori njihte mirë nevojën për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për Kosovën. Ai, kudo që u paraqit, dhe paraqitjet e tij ishin të shumta dhe në qendra kryesore të botës, prezantoi gjendjen e vështirë në të cilën po kalonte populli ynë, duke promovuar të drejtën e popullit tonë për të qenë i lirë dhe sovran”, ka shtuar Tërnava.
Tërnava përmendi një ngjarje të veçantë nga viti 1996, kur Boja mbajti një ligjëratë në Kuvajt me temën “Kasaphana e ardhshme në Kosovë, pas asaj në Bosnje”, duke paralajmëruar për rrezikun që po i kanosej vendit. Guximi dhe përkushtimi i Bojës u vlerësuan lart nga të gjithë ata që e njohën.
“Po përmend vetëm një rast për të kuptuar guximin intelektual që kishte Boja në raport me çlirimin e vendit. Në Kuvajt ishim për një vizitë zyrtare bashkë, dhe ndër të tjera, para një mase rreth 400-500 vetash, në ambient të hapur dhe natë të qetë të vitit 1996, Boja mbajti ligjëratën me temën “Kasaphana e ardhshme në Kosovë, pas asaj në Bosnjë”. Dhe për t’u kthyer në Kosovë, na duhej që në pikë të natës të kalonim kufirin në Maqedoni nëpër male, që ishte një rrezik në vete. Kjo ndodhi disa herë”, ka theksuar kreu i BIK-ut.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë së doktor Bojës ishte promovimi i tolerancës dhe mirëkuptimit ndërmjet shqiptarëve.
Tërnava e theksoi se Boja, në çdo paraqitje të tij, me krenari vlerësonte virtytin e tolerancës fetare dhe mirëkuptimit që karakterizonte popullin shqiptar.
“Një segment tjetër i rëndësishëm i doktor Bojës ishte angazhimi i tij për kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimit në radhët e popullit shqiptar. Ai, në çdo paraqitje të tij, me krenari dhe mburrje e theksonte si vlerë të veçantë të popullit tonë, pikërisht virtytin e tolerancës dhe mirëkuptimit fetar”, ka thënë ndër të tjera Tërnava.
Në ditën e dytë e konferencës kushtuar Bojës, më 19 tetor, do të zhvillohet pjesa shkencore, ku rreth 33 studiues dhe kumtues do të prezantojnë punimet e tyre për kontributin e doktor Bojës.