Testi i Arritshmërisë sërish me probleme, kërkohet ridizajnimi i tij

Testi i Arritshmërisë i cili mbahet për t’i testuar njohuritë e nxënësve të klasave të nënta, po kritikohet nga njohësit e çështjeve të arsimit. Ata kanë kërkuar që të ketë më shumë mbikëqyrje si dhe të ridizajnohet testi

Testi i arritshmerisë-ilustrim

Vit pas viti, shfaqen problemet e njëjta që lidhen me Testin e Arritshmërisë, i cili mbahet për nxënësit e klasave të nënta.

Si çdo vit, edhe kësaj here janë shpërndarë testet nëpër grupet private të rrjeteve sociale, ku edhe është krijuar një “zingjirë” kopjimi për një pjesë të nxënësve.

Se ka parregullsi, e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, të cilët bashkë me drejtoritë komunale të arsimit e organizojnë mbarëvajtjen e testimit.

Përmes një komunikate publike, nga kjo ministri kanë thënë se kanë nxjerrë një raport ku i kanë evidentuar problemet që e kanë përcjellë procesin e mbajtjes së testimit, e që sipas tyre janë, “mospërmbajtja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionerët dhe administruesit e Qendrave të Testimit dhe përdorimi i telefonave celular nga nxënësit”.

Testi i arritshmërisë gjatë vitit 2021
Testi i arritshmërisë gjatë vitit 2021

Po ashtu në njoftim thuhet se, MASHTI ka marrë masa ndaj nxënësve dhe administruesve, që i kanë thyer rregullat.

“MAShTI njofton se, bazuar në legjislacionin në fuqi janë ndërmarrë masa ndaj 6 administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin nuk do t’u lejohet të përsërisin pjesën e parë të testimit. Pra, atyre do t’u llogariten pikët vetëm nga lëndët në pjesën e dytë të Testit”, thuhet në njoftim.

Sipas Egzon Gashit, drejtor ekzekutiv dhe njëkohësisht themelues i organizatës “Teach For Kosova”, Testi i Arritshmërisë në versionin aktual nuk është efektiv sa do të duhej të ishte.

Sipas tij, Testi i Arritshmërisë në versionin aktual më shumë përcaktohet nga kopjimi sesa nga dija e nxënësve që supozohet të jetë fituar ndër vite.

“Unë besoj se problemi më i madh me testin është kultura që ekziston rreth testit. Pothuajse në çdo bisedë që kam bërë me kolegë, nxënës, mësimdhënës dhe prindër – më thonë të njëjtën gjë. Testi përcaktohet nga kopjimi, pyetje që shpesh nuk janë në përputhje me atë që nxënësit kanë mësuar në klasë, dhe një kulturë për të arritur sukses me çdo mjet të mundshëm – jo përmes njohurive për lëndën. Ndërsa kjo vazhdon të jetë situata, nuk mendoj se testi mund të jetë efektiv. Duhet të ketë ndryshim të dukshëm”, ka thënë ai.

Egzon Gashi, drejtor ekzekutiv dhe themelues i organizatës “Teach For Kosova”

Gashi ka kërkuar që përmbajtja e testit aktual të ridizajnohet dhe ” të përputhet me Kurrikulën Bërthamë të Kosovës si dhe me atë që nxënësit në të vërtetë po mësojnë në klasë”.

Përveç kësaj, Gashi e sheh më se të nevojshme mbikëqyrjen dhe monitorimin e testit, për t’i minimizuar mundësitë e kopjimit, në mënyrë që rezultatet të jenë sa më reale.

“Nxënësit nuk duhet të lejohen të kopjojnë, dhe mësimdhënësit dhe prindërit nuk duhet të jenë nën presion nga rezultatet e testit, por nga njohuritë e nxënësve. Nuk mendoj se ka ndonjë grup të caktuar njerëzish që janë fajtorë për kulturën që është zhvilluar rreth testit, por është e qartë se ndryshimi i menjëhershëm është i nevojshëm”, është shprehur themeluesi i “Teach for Kosova”.

Sipas tij, Testi i Arritshmërisë nuk duhet të hiqet, por duhet të reformohet plotësisht, si dhe të mbikëqyret nga shkollat dhe drejtuesit e tyre, në mënyrë që fëmijët të kenë vlerësim të barabartë.

“Megjithatë, kjo nuk do të thotë se rezultatet e testit nuk mund të jenë të besueshme. Duke marrë parasysh rëndësinë e testit, mendoj se qasja e duhur është që fillimisht të reformohet testi dhe më pas të zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të saktë. Nëse dhe vetëm nëse kjo bëhet, mund të japim një përgjigje reale se sa efektiv apo i besueshëm është testi”, ka thënë Gashi.

Organizimin e mbarëvajtjes së Testit të Arritshmërisë, e ka kritikuar edhe drejtori ekzekutiv i institutit Edguard, Rinor Qehaja.

Ai ka thënë se në parim Testi i Arritshmërisë do të duhej të ketë karakter orientues për nxënësit, por sipas tij, formati aktual i testit shkakton padrejtësi në mesin e nxënësve.

Rinor Qehaja, Instituti Edguard

“Testi i Arritshmërisë edhe me ligjin për arsimin parauniversitar ka karakter orientues për nxënësit, dhe i tillë edhe duhej të ishte. Mirëpo me peshën që ka në regjistrim, shpërfill në masë të madhe vlerësimin e nxënësve gjatë shkollimit të mesëm të ultë, që, do të kishte kuptim, po të ishte i miradministruar dhe pa shpërdorime. Por me formatin aktual, testimi përkundrazi është më shumë padrejtësi selektive ndaj nxënësve sesa që bën ndonjë filtrim të mirëfilltë për vazhdim të mëtejmë të shkollimit”, ka thënë Qehaja.

Testit të Arritshmërisë i janë nënshtruar mbi 24 mijë nxënës të klasave të nënta, ndërsa për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar rreth 1 mijë e 600 administrues.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika