Boksierja Donjeta Sadiku ka siguruar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të boksit që u zhvillua para dy javësh duke rikthyer kështu një medalje evropiane pas 35 vjetësh në Kosovë.
Po ashtu, kjo është medalja e parë evropiane për Federatën e Boksit të Kosovës për rangun elitar.
Sadiku për këtë sukses është pritur të mërkurën nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili ka thënë se sukseset e saj janë shumë frymëzuese.
“Donjeta Sadiku, pas medaljes botërore, tash me të bronztën evropiane dhe me plot vendosmëri edhe drejt medaljes olimpike. Gjithmonë janë shumë frymëzuese dhe të japin motiv shtesë takimet me sportistet tona që me angazhimin e tyre po na bëjnë krenarë të gjithëve”, ka shkruar Çeku në rrjetin social Facebook.
Çeku nëpërmjet këtij postimi ka bërë të ditur se Donjeta Sadikut i është ndarë shpërblimi prej 8 mijë eurove, ndërsa 4 mijë të tjera i janë ndarë trajneres së saj Marjola Sallauka.
“I urova për medaljen e re që i sollën shtetit tonë, të bronztën në Kampionatin Europian, ndërsa i ndamë shpërblimin në vlerë prej tetë mijë euro për Donjetën dhe katër mijë euro për trajneren, Marjola Sallauka, bazuar në rregulloren për shpërblime të sportistëve, të cilët arrijnë rezultate kulminante në gara ndërkombëtare.”, ka shkruar më tutje i pari i MKRS-së.
Donjeta Sadiku, arriti ta mundë në çerekfinale rumunen, Andrea Loredana Marin. Me këtë fitore, ajo kaloi në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian të boksit, i cili është mbajtur në Budva të Malit të Zi.
Ndërsa, boksierja Sadiku në maj të këtij viti, ka fituar medaljen e bronztë në Botërorin që është mbajtur në Turqi.
Ndërkaq, Lojërat Olimpike Verore “Parisi 2024”, mund të jenë synimi i radhës për Sadikun.
Donjeta Sadiku ka siguruar medalje evropiane në çerekfinalen e boksit