Reshjet e mëdha të shiut në Prishtinë kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e veturave dhe kanë rezultuar në vërshimin e disa shtëpive në të gjithë qytetin.
Drejtori i emergjencave në komunën e Prishtinës, Lulëzim Fushtica, për Dukagjinin ka informuar se ka tetë raste të raportuara të shtëpive të përfshira nga uji, përfshirë edhe bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Dardani, një shtëpi në “Rrugën UÇK”, si dhe raste të tjera në lagjen “Emshir”, “Matiqan” dhe pjesë të tjera të kryeqytetit.
Fushtica ka theksuar se ekipet e emergjencës janë në terren dhe janë duke dalë për të intervenuar.
Po ashtu, ai ka treguar se vetë gjendet në terren bashkë me ekipet e emergjencës për të siguruar koordinimin e situatës.
“Po dalim me të gjitha ekipet që ka kryeqyteti, për momentin jam në terren bashkë me ekipet e urgjencës, uji ka hyrë vetëm nëpër shtëpi, para gjysmë ore kanë raportuar rastet dhe po dalim dhe po ndërhyjmë” , ka deklaruar ai.
Kujtojmë se Komuna e Vushtrrisë të mërkurën ka shpallur gjendje emergjente për të përballuar sfidat e reshjeve të mëdha të shiut, ndërsa ka bërë një thirrje të fortë dhe urgjente për të gjithë qytetarët që të jenë në kujdes të veçantë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për të minimizuar ndikimin e kësaj situate të vështirë.