Tetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur pasditen e së dieles në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, i cili ka theksuar se në aksident kanë qenë të përfshira katër vetura.
“Rreth orës 18:40 në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova” km-40 është shkaktuar një aksident trafiku me lëndime. Të përfshira kanë qenë katër automjete me targa vendore. Sipas informatave fillestare, janë raportuar tetë persona të lënduar”, ka thënë Hoxha.
Po ashtu, Policia ka apeluar për kujdes dhe respektim të rregullave në trafik.
“Raste të tilla të aksidenteve shpesh po rezultojnë me fatalitet andaj apelojmë tek drejtuesit e automjeteve të jenë më të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat në trafik. Policia me njësitet e saj po ndermerr dhe do të ndërmarrë masa rigoroze ndaj kundërvajtësve që shkelin rregullat në trafik”, thuhet në përgjigjen e Policisë.