Tetë të vrarë, e mbi 2 mijë e 700 të plagosur nga shpërthimi i pajisjeve të telekomunikimit në Liban

Së paku tetë njerëz janë vrarë dhe 2 mijë e 750 të tjerë janë plagosur të martën si pasojë e shpërthimit të njëkohshëm të pajisjeve të telekomunikimit me valë – të njohura si pager – në Liban, tha ministri i Shëndetësisë i Libanit, Firass Abiad.

Grupi militant libanez i mbështetur nga Irani, Hezbollahu tha më herët se dy anëtarë të tij dhe një vajzë ishin në mesin e të vrarëve nga shpërthimet “misterioze”, raporton CNN përcjell Dukagjini.

Ministri Abiad tha se 200 prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, ndërsa në mesin e të plagosurve është edhe ambasadori i Iranit në Bejrut, Mojtaba Amani, sipas mediave iraniane.

Hezbollahu tha se një numër i pajisjeve pager, të përdorura nga anëtarët e grupit, shpërthyen “njëkohësisht”.

Pajisjet pager që shpërthyen ishin modeli më i fundit i kësaj pajisjeje që Hezbollahu e kishte importuar në Liban rishtazi, raportoi agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar tri burime të paidentifikuara.

Raportimet nga Libani tregojnë se “qindra” anëtarë të grupit militant Hezbollah, përfshirë luftëtarë dhe punëtorë të ndihmës, u plagosën nga shpërthimi i pajisjeve pager – mjet komunikimi që pranon mesazhe me tekst ose me zë – në jug të Libanit dhe përreth.

Ministria e Jashtme e Libanit i dënoi shpërthimet duke i quajtur “sulm kibernetik izraelit”, duke shtuar se disa prej pajisjeve që shpërthyen ishin në Siri. Ajo tha gjithashtu se do të bëjë ankesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Ky përshkallëzim i rrezikshëm dhe i qëllimshëm nga Izraeli shoqërohet nga kërcënimet izraelite për ta zgjeruar fushëveprimin e luftës kundër Libanit në shkallë të gjerë”, tha ajo.

Hezbollahu është zotuar se do të hakmerret, duke thënë se Izraeli do të përballet me “ndëshkim të drejtë” për shpërthimet.

Një anëtar i grupit, duke folur në kushte anonimiteti, tha për Reuters se shpërthimi i pashijeve ishte “infiltrimi më i madh i sigurisë” me të cilin Hezbollahu është përballur në konfliktin e tij me Izraelin në vitin e fundit.

Agjencitë e tjera të lajmeve raportuan gjithashtu se një numër i anëtarëve të grupit Hezbollah u plagosën si pasojë e shpërthimit të këtyre pajisjeve.

Në një deklaratë, Ministria libaneze e Shëndetësisë tha se qindra të plagosur janë dërguar në spitale pas shpërthimeve.

Ministria u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kanë pajisje pager t’i hedhin ato menjëherë.

Shpërthimet ndodhën në një kohë kur kabineti izraelit njoftoi se po i zgjeronte synimet e luftës dhe fokusin e fushatës së tij pothuajse njëvjeçare kundër grupit ekstremist Hamas, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në Gaza, për ta luftuar Hezbollahun në kufirin e saj verior me Libanin.

Shija e redaktorit

VV e PDK lëshojnë sallën, dështon votimi i buxhetit të...

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë braktisur mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, e cila kishte si...

Boksieri shqiptar Roberto Bakaj fiton meçin me nokaut

Roberto Bakaj ka shënuar fitore në meçin e zhvilluar në Harrow Leisure Center. Bakaj ashtu si vëllai i tij arriti ta nokautoj kundërshtarin, Shaban Hamadi...

Amarildo Bakaj fiton meçin me nokaut

Amarildo Bakaj ka shënuar një tjetër fitore në boksin profesionist. 25-vjeçari arriti fitore ndaj kundërshtarit, Mawuli Folivi në meçin e zhvilluar në Harros Leisure Center. Bakaj...

Të fundit nga rubrika