Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij para trupit gjykues në Hagë, shprehu keqardhje për të gjitha viktimat e luftës së fundit në Kosovë.
Ai tha se është i lumtur që Kosova tash është shtet i pavarur, ku respektohen të gjitha të drejtat e njeriut.
Thaçi nga Haga tha se motivet politike nuk duhet të kuptohen si fakte, dhe as botimet e librave të pasluftës, të cilat sipas tij janë të ekzagjeruara.
“Gjatë këtij procesi gjyqësor, ne do të udhëtojmë prapa në kohë te ngjarjet që kanë ndodhur 25 vite më parë. U kujtoj të gjithëve të keni parasysh, që mbamendja 25 vjet më parë është e mjegulluar, realiteti po ngatërrohet me opininone dhe agjenda të ndryshme, spekulimet po shndërrohen në fakte. Emocionet, motivet apo mllefet politike të secilitdo akter politik, nuk duhet të kuptohen si fakte në këtë sallë, kjo vlen edhe për disa botime apo opinione të pasluftës, të ekzagjeruara apo të të përshtatura të akterëve të ndryshme të luftës”, ka thënë ai.
Tutje, Thaçi tha se njerëzit mbajnë mend atë që duan të mbajnë mend, por e vërteta e Kosovës është faktike.
“Jo edhe çdo bashkëluftëtar i luftës, ka qenë edhe bashkudhëtar dhe bashkëmendimtar i proceseve politike të pasluftës. Në raste jo të pakta, ambicia dhe interesat personale tejkaluan realitetin për rrëfimin e UÇK-së dhe vetë historisë së Kosovës. Njerëzit mbajnë mend atë që duan të besojnë se është e vërtetë por ne kemi një histori faktike. Më vjen keq që nuk do të kemi mundësi të dëgjojmë në këtë gjykatë dëshmitë e sekretares së Shtetit Madeline Albright, sekretarit të jashtëm Robin Kook, senatorit Robert Dolle, ambasadorit Richard Holbroke, të shefit të parë të UNMIK-ut në Kosovë, të presidentit Ibrahim Rugova, të Fehmi Aganit, të Adem Demaçit e liderëve të tjerë. Ata do të kishin dëshmuar në emrin tim për atë çfarë kam thënë e bërë gjatë asaj kohe të rëndësishme të historisë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha ai.
Ish-presidenti i Kosovës tha se tashmë është hequr “reja e zezë” ndaj Kosovës, dhe se tashmë të gjithë e dinë që shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar asnjëherë.
“Kur raporti i Dick Marty-t mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafikim organesh nga UÇK-ja dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova Bashkësisë Ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia Ndërkombëtare tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë për akuzat për trafikim organesh. Bota tani e di sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë që ne jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë është hequr”, tha ai.
Thaçi u shpreh se pret të shfajësohet nga të gjitha akuzat që e rëndojnë atë.