Thaçi në Kosovë, 15 minuta te varri i babait, gati 3 orë takim me nënën e gruan

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka ardhur në Kosovë, pasi kjo iu lejua nga Gjykata Speciale në Hagë. Për tri orë qëndroi në Burojë, e vizitën e nisi me kurorë lulesh tek varri i babait të tij. Iu lejua ta shoh nënën e gruan në shtëpi ndërkaq natën do ta kalojë në qendrën e ndalimit në EULEX. Nesër pritet që t’i takojë edhe një pjesë tjetër të familjes

Ora 09:00 e mëngjesit, fshati Burojë, Skenderaj.

Vetura e bardhë pozicionohet në breg, dy persona i afrohen varrezave të fshatit.

Mbi varrin e Haxhi Thaçit po e lirojnë vendin për një kurorë të veçantë.

Njërën kurorë ia dërgoi nga distanca ndërsa, sot djali do t’ia vendosë me duart e tij.

I gjithë fshati ishte në dijeni që Hashim Thaçi po vjen, por të gjithë rrudhnin krahët.

Aeroplani u nis.

“Aplikacioni flight-radar tregon se aeroplani i nisur nga Roterdami i Holandës, sapo kaloi mbi qiellin e Kosovës, saktësisht mbi fshatin Burojë. Ne mund ta dëgjojmë zhurmën e aeroplanit, por as me sy të lirë e as me kamerë nuk mund ta regjistrojmë.”

Aeroplani privat rreth orës 10:00 zbriti në aeroportin e Prishtinës.

Nën masa të rrepta sigurie u nisën për në Burojë. Perimetri i sigurisë ishte i madh.

Për të shmangur turmën një familje u detyrua t’i zhvendosë të pamet tek një shtëpi në fshat.

Specialja kishte kërkuar edhe certifikatë të vdekjes në mënyrë që të sigurohet se nuk po ju ik asgjë.

Ora 11:00, me armë të gjata, vigjilentë, të gatshëm për çdo reagim, ia hapin derën.

Me kurorë në duar niset drejt varrit.

Për herë të fundit e pa dy ditë para se të vdes në spital.

“Te varri yt erdha i fundit, babë. Para meje erdhën mijëra qytetarë. Së shpejti, dorë më dorë, do t’i falenderojë të gjithë! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”

Ky është mesazhi i kurorës së dytë.

Qëndrimi stoik e shoqëron Thaçin, po mërzinë nuk mund ta fshehë.

Fiks 15 minuta u soll rreth varrit të babës.

Herë në këmbë, herë ulur,  mendueshëm, i heshtur, aty këtu për ta thyer atë qëndrim nga varri heq gurë e lëvizë lule.

Mërzinë dhe heshtjen herë pas herë e ndrydhte me vendosjen e dorës në zemër, për t’iu përgjigjur ngushëllimeve që vinin këndej telit.

Akrepat e orës iu ofruan fundit të vizitës. Një zyrtari policor i kërkon ta dijë sa është ora. Thaçi e kuptoi se për t’u çmallur i kanë mbetur edhe pak minuta.

Vizita e shumëpritur për të përfundoi.

Ashtu në heshtje niset drejt veturës e prap forca e mposht emocionin.

Me grushtin lartë, simbol të triumfit, Thaçi jep përshëndetjen e fundit.

Në shtëpi po e priste nëna Hyra, dhe bashkëshortja Lumnija.

4 vetura të Eulexit dhe dy të Policisë së Kosovës u pozicionuan në hyrje të shtëpisë.

Për të evituar çfarëdo sfidë të sigurisë dhe për ta mbajtur larg mediave me njërën veturë e futën në oborr.

Mbi dy orë e dhjetë minuta u çmall me nënën e bashkëshorten e pas kësaj nën masa të rrepta të sigurisë u largua nga shtëpia ku u rritë.

Përsëri nuk e lëshoi rastin që të përcjellë porosi.

Me gishtin lartë të cilin dikur e kishte kthyer në simbol personal, u largua nga Buroja.

“Në shtëpinë e tij në Burojë mbi dy orë e gjysmë qëndroi me nënën dhe bashkëshorten. Ndërkaq gjatë ditës së nesërme, ish-presidenti Hashim Thaçi në qendrën e mbajtjes në selinë kryesore të Eulexit në Fushë-Kosovë do të takohet me vëllezërit, motrën dhe djalin.”

Vizita humanitare për Thaçin, i akuzuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit, është lejuar nga Gjykata Speciale pesë ditë pas vdekjes e tri pas varrimit të babait të tij. Tërthorazi thanë se kjo është bërë për shkak të çështjeve procedurale të Gjykatës.

Shija e redaktorit

Nga shtatë shkolla të premtuara në kryeqytet, në shtator hapen...

Ka kohë që është premtuar e as shtatori i këtij viti, nuk do t’i gjejë banorët e lagjes “Sofalia” me një shkollë të re. E...

Plenkoviq: S’pyesim as Serbinë, as NATO-n për marrëveshje me Kosovën...

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka deklaruar se marrëveshja e fundit ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk kërkon miratimin e Serbisë apo NATO-s,...

26 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes në Paris

Sot bëhen 26 vjet që nga dështimi i arritjes së ndonjë marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë në Paris. Delegacioni kosovar dhe ai serb...

Të fundit nga rubrika