Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është parë duke u larguar nga objekti i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku qëndroi për disa orë për të vizituar babanë e tij të sëmurë.
Largimi i tij u shoqërua me thirrjet “UÇK, UÇK” nga dhjetëra qytetarë që ishin mbledhur në oborrin e klinikës.
Pas tre kërkesave të refuzuara, Gjykata Speciale ka miratuar kërkesën e Thaçit për të vizituar Kosovën, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të babait të tij.
Ai ka arritur në Kosovë, i shoqëruar nga forca të sigurisë.
Zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, konfirmoi vizitën, duke theksuar se ajo është aprovuar për arsye të forta humanitare.
Përmes një deklarate, Doyle shpjegoi se, “Trupi Gjykues dhe Gjyqtari i Procedurës Paraprake kanë udhëzuar që të organizohet një vizitë për Hashim Thaçin në Kosovë, për të qenë pranë babait të tij. Ai mbetet në paraburgim dhe nën kujdestarinë e Dhomave të Specializuara.”
Për herë të katërt, më 14 shkurt 2025, Thaçi paraqiti kërkesën për të ardhur në Kosovë, pasi kërkesat e mëparshme ishin refuzuar.
Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 dhe po gjykohet për krime lufte dhe administrim të drejtësisë.