Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ishte i pranishëm në seancën e së mërkurës në Hagë për shkak të gjendjes shëndetësore, por ai nuk është i shtruar në spital.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, ka deklaruar se për arsye privatësie nuk mund të jepen detaje për shëndetin e të paraburgosurve, por ka konfirmuar se Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit dhe merr pjesë në aktivitetet e përditshme.
“Për shkaqe privatësie nuk mund të ofrojmë informacione për gjendjen shëndetësore të të paraburgosurve dhe mendoj që është me rëndësi të shpjegohet se ky është një obligim ligjor që Gjykata duhet ta mbrojë të drejtën e tyre të privatësisë. Sipas rregullave për të paraburgosurit të Dhomave të Specializuara, publikimi i gjendjes shëndetësore të të paraburgosurve mund të bëhet vetëm me pëlqimin paraprak të tyre dhe kjo është në përputhje me standardet evropiane për ruajtjen e të dhënave. Por, mund të them se në përgjithësi se nuk është e pazakontë që ndonjëri prej të pandehurve të mungojë nga seancat nëse nuk ndjeheshin mirë dhe kishin ankesa të vogla atë ditë. Por, mund të iu them se z.Thaçi tani po merr pjesë në aktivitetet ditore të rregullta brenda Qendrës së Paraburgimit”, ka deklaruar ai.