Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë urimit të saj për Ditën e Çlirimit të Kosovës, ka falënderuar ushtarët e NATO-s, mirëpo nuk ka përmendur pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).
E për këtë urim, ka reaguar edhe ish-zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, duke thënë se UÇK përveç që është organizatë konkrete e fakt historik, është edhe vlerë qytetërimore e ideal njerëzor universal.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se UÇK para së gjithash e mbi të gjitha, është shkaktarja e meritorja kryesore për çlirimin e Kosovës.
” UÇK para së gjithash e mbi të gjitha, është shkaktarja e meritorja kryesore për çlirimin e Kosovës, dhe si pasojë edhe për pavarësinë e Kosovës (ky fakt as nuk e mohon e as nuk e zbeh rëndësinë e punës dhe sakrificës së gjithë shqiptarëve në përgjithësi që kanë kontribuuar në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, si dhe as nuk e mohon e as nuk e zbeh rëndësinë e gjithë kontributit të komunitetit ndërkombëtar për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës)”, ka shkruar Thaçi.
Gjithashtu, ai ka thënë se kur ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës uron Ditën e Çlirimit të Kosovës, duke mos e përmendur fare UÇK-në, përkatësisht duke e mohuar UÇK-në, ajo nuk e ofendon UÇK-në, por e ofendon veten dhe gjithë atë që ajo përfaqëson si qytetare e si zyrtare shtetërore, përfshirë edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës.
“Ta mohosh UÇK-në si simbol të lirisë, si vlerë qytetërimore e si ideal njerëzor dëshmon primitivizëm”, ka shkruar Thaçi.
Sipas tij, ta mohohet UÇK-ja për shkak të urrejtjes ndaj disa individëve të caktuar, dëshmon infantilizëm. Po ashtu, ai ka thënë se të mohohet UÇK-në duke qenë përfaqësues i shtetit që është rezultat i UÇK-së, dëshmon hipokrizi.
“Ta mohosh UÇK-në duke u fshehur pas mospërmendjes së saj dëshmon frikacakëri”, ka vazhduar Thaçi.
Ai ka thënë se të gjithë ata që e relativizojnë ose mohojnë UÇK-në, betejën me të e kanë të humbur.
“Sidoqoftë, një gjë duhet ta dinë mirë të gjithë ata që e relativizojnë, e mohojnë, nuk e duan apo e urrejnë UÇK-në: betejën me UÇK-në e keni të humbur”, ka theksuar ai.
“Ju jeni veç ca vdekatarë të përkohshëm, statistika të pavlera të njerëzimit, vizitorë të pagjurmë të kësaj bote. Ndërsa liria, dinjiteti e qytetërimi janë vlera e ideale njerëzore të përjetshme e të paçmueshme, do të rrojnë sa të ekzistojë njerëzimi. UÇK-ja është mishërim e simbol i këtyre vlerave e idealeve”, ka përfunduar Thaçi.
Gërvalla për Ditën e Çlirimit: Fitimtarë jemi gjithmonë atëherë kur jemi të bashkuar