Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë, i ka porositur aktivistët dhe zyrtarët e partisë që drejtonte (Partia Demokratike e Kosovës), të qëndrojnë të bashkuar.
Kjo është bërë e ditur nga kryetari i komunës së Skënderajt, Fadil Nura, gjatë një paraqitje të tij para të pranishmëve në ndejën e organizuar në këtë komunë, me anëtarë të PDK-së.
”Qëndroni të bashkuar. Nëse ju atje poshtë jeni të bashkuar, unë sfidën këtu e tejkaloj, bile nuk e ndiej hiç”, ishte mesazhi që Thaçi ia kishte thënë kryetarit të Skenderajt, Fadil Nurës, gjatë një bisede telefonike.
“Teksa ishim duke ardhur me Endritin (djalin e ish-presidentit Thaçi) këtu bashkë, pata rast të komunikoj, të flas me presidentin Thaçi. Dhe më dha si obligim t’ua përcjell këtë mesazh”, shtoi Nura.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ditë më parë ka vizituar ish-presidentin Thaçi, në Hagë.
Thaçi gjatë vizitës së Ramës në Hagë: Edhe 100 herë po të kthehesha, sërish do ta bëja të njëjtën gjë
Rama ka rrëfyer një pjesë të bisedës së tij me Thaçin, duke cituar një frazë të ish-presidentit që po mbahet në paraburgim në Hagë.
“Më ka bërë përshtypje fakti që edhe aty e prekëm këtë temë, tha se nëse do të kthehesha 100 herë, 100 herë do të bëja të njëjtën gjë, sepse jam i bindur që ka qenë gjëja e duhur. Dhe nëse kjo ishte kostoja që i duhej paguar domosdshmërisë që të çlirohemi njëherë e përgjithmonë nga të gjitha spekulimet, akuzat e ngritura sidomos nga famëkeqi Dick Marti, raporti i të cilit ishte shkaku që filloi i gjithë ky proces, ndërkohë që në aktakuzën e ngritur nuk ka asgjë nga Dick Marti, atëherë ai tha, kështu qoftë, dhe më vjen mirë që këtë kosto jam edhe unë që po marr pjesë për ta paguar dhe nuk është diçka që po iu ndodh shokëve të mi dhe unë jam i papërfshirë”, ishin fjalët e Thaçit, që Rama i transmetoi për publikun.
Megjithatë, siç tregoi Rama, ish-presidenti Thaçi në aspektin psiko-fizik po qëndron jashtëzakonisht mirë.
Ndryshe, pas zgjerimit të aktakuzës kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar i pafajshëm.
Ndonëse, Thaçi ka pohuar se e ka pranuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar të datës 29 prill 2022, ai ka deklaruar se aktakuzën e re nuk e ka kuptuar për shkak të redaktimeve të shumta.
“Nuk i kam kuptuar për arsye se nuk kam pasur mundësi t’i lexoj ato, sepse janë shumë të redaktuara”, ka thënë Thaçi kur është pyetur se a i ka kuptuar se çfarë duan të thonë akuzat e reja në aktakuzën e konfirmuar.
“Deklarohem i pafajshëm”, ka thënë Thaçi.
Ndërkaq, avokati mbrojtës i Thaçit ka thënë se për shkak të redaktimeve të shumta është i pamundur kuptimi i plotë i aktakuzës.
Edi Rama: Kosova kishte fat që më 1999 kishte Hashim Thaçin dhe Ibrahim Rugovën