The Guardian: Vuçiqi ndërhyri personalisht për projektin 500 milionë dollarësh të Trumpit në Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndërhyrë personalisht për të shtyrë përpara një plan që dyshohet se synonte t’ia mundësonte një kompanie të lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, shfrytëzimin e një kompleksi historik të mbrojtur në Beograd për ndërtimin e një hoteli dhe kulle banimi me vlerë 500 milionë dollarë.

Kështu raporton ekskluzivisht gazeta britanike The Guardian, bazuar në intervista dhe dokumente të rrjedhura, sipas të cilave Vuçiqi kishte thirrur një takim në zyrat e presidencës serbe më 6 shkurt 2024, ku kishte kërkuar nga zyrtarët e trashëgimisë kulturore që të hiqnin statusin e mbrojtur të kompleksit të ish-Ministrisë së Mbrojtjes së Jugosllavisë, i njohur si ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm.

Rasti ka përfunduar me ngritjen e aktakuzës ndaj disa zyrtarëve të lartë të regjimit të Vuçiqit, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Megjithatë, sipas The Guardian, takimi në të cilin presidenti serb dyshohet se udhëhoqi diskutimet fillestare nuk përmendet në aktakuzë.

Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi atë se çfarë informacionesh kanë prokurorët për përfshirjen e mundshme të Vuçiqit dhe pse ato nuk janë përfshirë në aktakuzë.

Qiraja 99-vjeçare pa pagesë

Sipas raportimit, më 6 shkurt 2024, Dubravka Đukanović, profesoreshë e konservimit dhe në atë kohë drejtoreshë e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Serbisë, u thirr në një takim në presidencën serbe.

Aty, Vuçiqi i kishte kërkuar që të hiqte statusin e mbrojtur të ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, duke përmendur interesimin e një investitori të huaj, sipas dy personave në dijeni të takimit, të cituar nga gazeta britanike.

Megjithatë, sipas ligjit serb, drejtoresha nuk kishte kompetencë ta merrte e vetme një vendim të tillë. Instituti duhej të angazhonte ekspertë dhe të hartonte një vlerësim që do të arsyetonte pse objekti nuk duhej të gëzonte më statusin e mbrojtur.

Sipas burimeve të The Guardian, gjatë takimit Vuçiqi kishte kritikuar Đukanovićin dhe një zyrtare tjetër të trashëgimisë kulturore, duke i cilësuar si dembele dhe jokompetente. Mesazhi, sipas burimeve, ishte që ato t’i zbatonin kërkesat e tij ose të jepnin dorëheqje.

Një muaj më vonë, në mars të vitit 2024, u publikua një marrëveshje mes qeverisë serbe dhe kompanisë së Jared Kushnerit, sipas së cilës kjo e fundit do të përfitonte një qira 99-vjeçare pa pagesë për kompleksin e Shtabit të Përgjithshëm.

Kushneri, i martuar me Ivanka Trumpin dhe ish-këshilltar i rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të vjehrrit të tij, kishte shprehur publikisht entuziazmin për projektin, duke publikuar në rrjetin social X një imazh të dizajnit të propozuar.

Marrëveshja shkaktoi reagime në Serbi. Aktivisti mjedisor Aleksandar Jovanović Ćuta, i cili e bëri publike atë, kundërshtoi dhënien e kompleksit, duke deklaruar se Serbia nuk është pronë private e presidentit.

Më 13 maj 2024, qeveria serbe nënshkroi një kontratë, të cilën e ka siguruar The Guardian, ku merrte përsipër që statusi i trashëgimisë kulturore të kompleksit të hiqej në një mënyrë që do të ishte e pranueshme për kompaninë e Kushnerit.

Zyrtaret refuzuan kërkesën dhe dhanë dorëheqje

Një javë pas nënshkrimit të kontratës, Đukanović dhe Olivera Vučković, zyrtarja më e lartë për trashëgiminë kulturore në Beograd, u thirrën në një tjetër takim, këtë herë me ministrin e Financave, Siniša Mali.

Sipas përmbledhjes së dëshmive të tyre në aktakuzë, Mali i pyeti nëse kishin menduar për nisjen e procedurës për heqjen e statusit të mbrojtur të ndërtesës.

Të dyja zyrtaret refuzuan, pasi vlerësuan se nuk ekzistonin kushtet ligjore për një veprim të tillë. Sipas aktakuzës, Mali u tha se, nëse nuk ishin të gatshme ta ndërmerrnin këtë hap, duhej të jepnin dorëheqje.

Ato vepruan kështu.

Në letrën e dorëheqjes, të cilën e ka parë The Guardian, Đukanović shkroi se nuk mund të pajtohej me ndërhyrje të papërshtatshme që do të shkatërronin përgjithmonë vlerat e kompleksit, të cilin e cilësoi si një dëshmi të arritjeve më të larta të arkitekturës bashkëkohore serbe dhe me rëndësi të jashtëzakonshme për ruajtjen e identitetit kulturor të popullit serb.

Të kontaktuara nga gazeta britanike, Đukanović dhe Vučković konfirmuan saktësinë e këtij raportimi. Đukanović, megjithatë, tha se preferonte të mos deklarohej për këtë çështje derisa të përfundonin procedurat gjyqësore.

Statusi i mbrojtur u hoq pas fitores së Trumpit

Për disa muaj, projekti nuk ishte në qendër të vëmendjes publike. Në nëntor të vitit 2024, Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke mposhtur kandidaten demokrate Kamala Harris.

Dhjetë ditë më vonë, qeveria serbe njoftoi se kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm i ishte hequr statusi i mbrojtur.

Pas ngritjes së akuzave për keqpërdorim të detyrës zyrtare në dhjetor të vitit 2025, kompania e Kushnerit njoftoi se projekti nuk do të vazhdonte “për momentin”.

Vuçiqi reagoi ashpër ndaj prokurorëve, duke i quajtur “banda të korruptuara” që, sipas tij, kishin fabrikuar raste. Ai deklaroi se Serbia kishte humbur një investim të jashtëzakonshëm dhe premtoi se do të sigurohej që të gjithë ata që kishin shkaktuar këtë dëm të mbanin përgjegjësi.

Ndërkohë, ministri serb i Kulturës është ndër zyrtarët e akuzuar në këtë rast.

The Guardian raporton se përfaqësuesit e familjes Trump dhe të Kushnerit kanë mohuar çdo përfshirje në heqjen e statusit të mbrojtur të ndërtesës. Ata gjithashtu kanë kundërshtuar pretendimet se projekti në Beograd ishte pjesë e një skeme ku investimet bëhen në këmbim të favoreve politike.

Vuçiqi nuk iu përgjigj kërkesave të gazetës për koment.

Sipas raportimit, zgjedhjet e parakohshme të shpallura nga presidenti serb kanë bërë që seanca gjyqësore, gjatë së cilës dëshmitarët mund të japin më shumë detaje për përfshirjen e tij të pretenduar, të mbahet vetëm pas votimit.

Çështja e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm është shndërruar në një rast të rëndësishëm për debatet mbi korrupsionin dhe ndikimin politik në Serbi, në një kohë kur vendi përballet me protesta masive kundër qeverisë.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika