Thellohet mosmarrëveshja për tranzitin e gazit mes Ukrainës dhe Sllovakisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka akuzuar kryeministrin sllovak, Robert Fico, për hapjen e një "fronti të dytë energjetik" kundër Ukrainës me ndikim nga Rusia, pas kërcënimeve të Sllovakisë për ndalimin e furnizimit me energji elektrike nëse Ukraina ndërpret tranzitin e gazit rus, duke thelluar mosmarrëveshjen mes dy vendeve

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy akuzoi të shtunën kryeministrin e Sllovakisë Robert Fico për hapjen e një “fronti të dytë energjetik” kundër Ukrainës me urdhër të Rusisë, duke sinjalizuar thellimin e një mosmarrëveshjeje për tranzitin e gazit midis dy vendeve.

Ukraina lejon kalimin e gazit natyror rus përmes territorit të saj për në disa vende evropiane, përfshirë Sllovakinë, por pritet ta ndalë rrjedhën kur marrëveshja ekzistuese e tranzitit – e nënshkruar para fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës – të skadojë në fund të vitit.

Kryeministri Fico, i cili vizitoi Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë në fillim të kësaj jave, tha të premten se Sllovakia do të konsideronte masa reciproke kundër Ukrainës, si ndalimi i furnizimeve rezervë me energji elektrike nëse Kievi ndalon tranzitin e gazit nga 1 janari.

“Duket se Putini i dha Ficos urdhrin për të hapur një front të dytë të energjisë kundër Ukrainës në kurriz të interesave të popullit sllovak”, shkruan zoti Zelenskiy në platformën e mediave sociale X.

Sllovakia do që furnizimet me gaz rus nëpërmjet Ukrainës të vazhdojnë, duke thënë se rrugët alternative do të rrisin kostot dhe do të dëmtojnë operacionet e saj të tranzitit, duke bërë që ajo të humbasë 500 milionë euro në tarifa.

Ukraina ka thënë se nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje të re për tranzitin e gazit me Moskën për shkak të luftës së nisur nga Rusia në shkurt 2022.

Ukraina është detyruar të importojë energji elektrike nga disa nga fqinjët e saj që kur Rusia filloi të vinte në shënjestër rrjetin e saj të energjisë në fund të vitit 2022, duke dëmtuar ose shkatërruar pjesën më të madhe të kapacitetit të prodhimit jo-bërthamor të vendit.

Zelenskiy tha se energjia elektrike nga Sllovakia aktualisht përbën 19% të importeve të kësaj energjie për Ukrainën dhe se Ukraina po punon me fqinjët e saj të Bashkimit Evropian për të rritur furnizimin.

“Sllovakia është pjesë e tregut të unifikuar evropian të energjisë dhe Fico duhet të respektojë rregullat e përbashkëta evropiane,” u shpreh ai, duke shtuar se ndërprerja e furnizimit me energji elektrike për Ukrainën do ta privonte Sllovakinë nga 200 milionë dollarë në vit.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha në një deklaratë se Fico po reshtohej në anën e Putinit me “kërcënime të pakuptimta” për të ndërprerë importet e energjisë për Ukrainën.

Që nga marrja e detyrës në vitin 2023, kryeministri Fico ka qenë një nga kundërshtarët më të hapur të BE-së për ndihmën ushtarake për Ukrainën. Pas bisedimeve të tij në Moskë, Fico tha se Presidenti rus Putin kishte konfirmuar gatishmërinë e Rusisë për të vazhduar furnizimin me gaz të Sllovakisë, megjithëse kjo do të bëhej “praktikisht e pamundur” pasi të skadojë marrëveshja e tranzitit./VOA

Shija e redaktorit

Osmani dekreton 24 prokurorë, gati gjysma gra

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës(KPK), ka dekretuar 24 prokurorë të rinj, ku pothuajse gjysma prej tyre janë...

Hovenier përfundon misionin në Kosovë me homazhe para shtatores së...

Presidentja Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier, pas takimit lamtumirës në Presidencë, në përmbyllje të mandatit të diplomatit amerikan në...

Osmani uron mirëseardhje Starlink-ut në Kosovë

Presidentja e vendit Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanisë së shërbimeve cilësore të internetit Starlink. “Mirësevjen në Kosovë”, ka shkruar Osmani në...

Të fundit nga rubrika