Që nga viti i kaluar ka nisur puna për themelimin e një gjykate të re në Kosovë.
Por miratimi final i projektligjit që mundëson një gjë të tillë, nuk duket të ndodhë brenda kësaj legjislature.
Në shkurt të këtij viti, është miratuar në lexim të parë, projektligji për themelimin e Gjykatës Administrative, gjykatë e cila do të trajtojë vetëm kontestet administrative dhe të punës.
Nga Ministria e Drejtësisë, në një përgjigje për televizionin kanë thënë se janë në pritje që projektligji dhe amendamentet e komisionit për legjislacion të miratohen në një nga seancat plenare.
“Ministria e Drejtësisë ju njofton se Projektligji për Gjykatën Administrative është ende në procedurë të shqyrtimit dhe miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Pas miratimit në lexim të parë të Projektligjit në muajin Prill të këtij viti, Komisioni përkatës për Legjislacion i Kuvendit këtë javë, të Mërkurën, ka miratuar Raportin me amendamente për këtë Projektligj. Projektligji dhe amendamentet e Komisionit pritet të shqyrtohen dhe miratohen përfundimisht në një nga seancat plenare të radhës së Kuvendit. Projektligji në nenet përkatëse parasheh aspektet e organizimit të Gjykatës, transferimin e gjyqtarëve, stafit mbështetës dhe veprimet tjera që duhet të merren nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, si institucion kompetent, drejt themelimit të Gjykatës Administrative. Gjykata pritet të funksionalizohet në një periudhë prej tre muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit në fjalë. Ministria e Drejtësisë vlerëson se themelimi i kësaj Gjykate do të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen e efikasitetit të konflikteve administrative dhe kontesteve të punës që përfshijnë institucionet publike, duke ofruar mbrojtje të duhur gjyqësore për palët dhe ndikuar drejtpërdrejtë në kohë më të shkurtër për zgjidhjen e këtyre lëndëve, por edhe në specializimin e nevojshëm për gjyqtarët dhe profesionistët tjerë në këto çështje. Bashkë me Ligjin për Konfliktet Administrative i cili tanimë është miratuar nga Kuvendi dhe do të hyjë në fuqi me datë 10 janar 2025, reforma ligjore në drejtësinë administrative do të kompletohet dhe në periudhat në vijim pritet të punohet tutje nga të gjitha institucionet kompetente, për zbatimin e këtyre dispozitave në praktikë.” – MINISTRIA E DREJTËSISË.
Por, sipas Lëvizjes Fol, duke parë dështimit e vazhdueshme të seancave plenare të Kuvendit, themelimi i kësaj Gjykate duket të jetë larg.
“Nuk ka pra vullnet politik që këto reforma të shtyhen përpara, dhe këto punë të përfundojnë brenda mandatit të kësaj qeverie, edhe Gjykata Administrative siç kanë qenë edhe reformat e tjera që janë proklamuar gjatë këtij viti nuk do të mund të përfundojnë brenda mandatit duke pare vullnetin politik të kësaj qeverie”, Viona Bunjaku – Hulumtuese, Lëvizja FOL.
Ndërkohë që juristi, Anton Nrecaj thotë se është urgjente funksionimi sa më i shpejtë i kësaj Gjykate, meqë aktualisht departamenti që merret me këto lëndë, është shumë i ngarkuar.
“Brenda për brenda departamentit administrativ të kësaj Gjykate, kemi mungesë të gjyqtarëve, dhe themelimi i kësaj gjykate, do të rriste numrin e gjyqtarëve që d.m.th. koha e pritjes për trajtimin e këtyre rasteve do zvogëlohej, trendi aktual është 2 deri 3 vite pritje për një epilog përfundimtar”, ka thënë Anton Nrecaj – Jurist, Instituti CLARD.
Aktualisht në Kosovë funksionon vetëm një departament që gjendet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, që merret me lëndë administrative.
Në Kosovë, Gjykata Administrative ka qenë funksionale deri në vitin 2013.