Themelorja dhe Apeli konfirmojnë aktakuzën ndaj Dragisha Milenkoviq për krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Gjykata e Apelit kanë konfirmuar aktakuzën kundër Dragisha Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe të Lipjanit, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile

Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Gjykata e Apelit kanë konfirmuar aktakuzën kundër Dragisha Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe të Lipjanit, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile.

Më 10 janar 2024, në seancën fillestare Milenkoviq ishte deklaruar i pafajshëm për krime lufte, ndërsa kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar dy vendimet në fjalë me të cilat është konfirmuar aktakuza e këtij rasti.

Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Millenkoviq, avokati Dejan Vasiq kishte kërkuar hedhjen e aktakuzës me pretendimin se hetimin të cilin e ka zbatuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) është joligjor në pikëpamje të nenit 61, par.3 dhe nenit 129, par.9 të KPPK-së.

Kjo me pretendimin se mbrojtja nuk është ftuar asnjëherë në lidhje me zbatimin e veprimeve hetimore nga ana e policisë, në dëgjimin e dëshmitarëve, duke aluduar se kjo mënyrë e mbledhjes së provave nuk është e mundur në asnjë gjykatë apo prokurori në Kosovë, përveç në lëndët ku serbët janë të akuzuar për krime lufte.

Po ashtu, avokati Vasiq në kërkesën për hedhje të aktakuzës ka pretenduar se nuk është vërtetuar në masë të mjaftueshme dyshimi i bazuar i nevojshëm për akuzim, gjithashtu pretendoi se provat që i ka siguruar Prokuroria janë joligjore.

Mirëpo, Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas vendimit të përpiluar më 28 shkurt 2024, ka refuzuar kërkesën e Vasiq si të pabazuar.

Në këtë vendim thuhet se, gjykata pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të mbrojtjes, ka arritur në përfundim se kërkesa për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimi i provave janë të pabazuara, pasi që në rastin konkret provat mbi të cilat është mbështetur aktakuza janë të pranueshme dhe ekzistojnë prova të mjaftueshme të cilat vërtetojnë dyshimin e bazuar të kërkuar në këtë fazë të procedurës penale për të parashtruar aktakuzën dhe proceduar çështjen deri në shqyrtim gjyqësor.

Sa i përket pretendimeve të mbrojtësit të të pandehurit se hetimi të cilin e ka zbatuar PSRK është joligjor në pikëpamje të neni 61 par.3 dhe nenit 129 par.9 të KPPK-së, pasi që mbrojtja nuk është ftuar asnjëherë në lidhje me zbatimin e veprimeve hetimore nga ana e policisë, në dëgjimin e dëshmitarëve, gjykata këto pretendime i hodhi poshtë si të pabazuara dhe të pa argumentuara, ngase PSRK ka zhvilluar hetime sipas dispozitave ligjore që i parasheh KPPK, hetimi është mbikëqyrur edhe nga gjyqtari i procedurës paraprake, dhe si i tillë është i ligjshëm dhe provat janë marrë në mënyrë të ligjshme duke mos i shkelur apo cenuar të drejtat e mbrojtjes”, thuhet tutje në vendimin e Themelores.

Ndërsa, në raport me pretendimet e mbrojtësit se “nuk prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se është kryer vepra penale sipas aktakuzës”, gjykata ka vlerësuar se bazuar në provat bashkëngjitur aktakuzës, siç janë: deklaratat e të dëmtuarve-dëshmitarëve  deri në këtë fazë të procedurës, krijohet bindja se ekziston dyshimi i bazuar që i pandehuri është kryerës veprës penale e cila me aktakuzë i vihet në barrë.

“Andaj me qëllim të vërtetimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, rrjedhimisht zbardhjes së të vërtetës materiale, gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësor do të administrojë me të gjitha provat e propozuara e në përputhje me dispozitat në fuqi të KPPRK-së, e nga të cilat prova në përfundim të këtij shqyrtimi do të konstatohet nëse ekziston përgjegjësia penale e të pandehurit në raport me veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në vendimin e Themelores.

Kundër këtij aktvendimi, avokati Vasiq kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike.

Ai kishte propozuar që Apeli të aprovojë ankesën e tij dhe të ndryshojë aktvendimin e atakuar duke i shpallur të gjitha provat e papranueshme të cekura në aktakuzën e Prokurorisë, apo të njëjtin të anulojë dhe ta kthejë në rivendosje.

Mirëpo, më 20 mars 2024, Apeli ka marrë vendim me të cilin ka konstatuar se ankesa e parashtruar është e pabazuar.

Apeli ka gjetur se aktvendimi i ankimuar nuk është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo shkelje tjera të cilat do ta kushtëzonin anulimin e aktvendimit.

“Nga shikimi i aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë rezulton se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qëndrueshme me refuzimin e kërkesave të mbrojtjes”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.

Sipas Apelit, aktakuza e ngritur nga ana e PSRK-së përmban të gjitha elementet e duhura ligjore siç i parasheh dispozita e nenit 235 paragrafi 1 të KPP-së, dispozitë kjo që rregullon aktakuzës, ndërsa nuk ekzistojnë arsyet për hedhjen e aktakuzës ashtu siç i ka paraparë dispozita ligore e nenit 244 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1, 1.2, 1.3, 1.5, 1.6 dhe 1.7 të KPP-së.

Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt kur ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, meqë pretendimet ankimore në këtë fazë të procedurës penale u vlerësuan si të pabazuara.

Aktakuza e ngritur më 26 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Dragisha Milenkoviqin se në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Ljubomir Çimburoviç, ish-drejtor i Burgut të Qarkut në Prishtinë, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, i kanë lënë pa ngrënë për gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë.

Aktakuza thotë se Milenkoviq, nga 24 maj 1999 deri më 10 qershor 1999, në Burgun e Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Çimburoviç, Bradiq dhe Iviq, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë nga Burgu i Dubravës në Burgun e Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit, e pastaj kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte e shqelma.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar, shkaktuar lëndime trupore dhe siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, i kanë lënë pa ngrënë për ditë të tëra, i kanë ofenduar e sharë dhe i kanë kanosur seriozisht për jetë se do i vrasin të gjithë, veprime këto të cilat kanë shkaktuar gjendje ankthi dhe frike tek ata.

Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.

Milenkoviq ngarkohet edhe se në shtëpinë e tij më 21 qershor 2023, në Graçanicë, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, policia ka gjetur një pistoletë, fishekë, karikatorë, thikë, shufër metalike.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika