Trajneri i futbollit, Afrim Tovërlani, i ftuar në emisionin “Dueli Botëror” në RTV Dukagjini, ka thënë se mbrojtja e Kroacisë ka qenë shumë e ngadalshme, kurse ajo e Argjentinës nuk ka qenë asnjëherë e paplanifikuar ose paorganizuar.
Sipas Tovërlanit, për Kroacinë, lojtari më i mirë ka qenë Josko Gvardiol, por që edhe këtij sot i është ulur çmimi në përballje me Messin.
“Në ndeshje të mëdha ulet edhe çmimi i dikujt, sikurse Messi që ia zbriti çmimin Gvardiolit”, ka thënë ai, duke theksuar se Argjentina nuk ka qenë e paorganizuar gjë e cila nuk ka lejuar kroatët as të dërgojnë goditje në portën argjentinase.
“Pas shënimit të golit, Argjentina nuk u fut në sulm pa kokë, e paplanifikuar ose e paorganizuar, deri në fund të ndeshjes nuk i kanë lejuar kroatët as goditje të dërgojnë në portën e Argjentinës. Një mbrojtje e ngadalshme erdhën dy gola prej kundërsulmeve, mbrojtja e Kroacisë shumë e ngadaltë”, ka thënë Tovërlani.
Tutje, ai ka theksuar se fajin për humbjen e Kroacisë e bart edhe selektori kroat.
“Unë mendoj që mjaft ka arritur Kroacia deri këtu edhe prap po besoj që Brazili ka gabuar vetë edhe sidomos selektori i tyre. Sonte selektori kroat ndaj Argjentinës nuk ka vepruar mirë. E ka edhe aj një pjesë të fajit, shembull kur ishte duke humbyr mundte t’i bënte tre në fund, se Argjentina luante me dy sulmues, Alvarez dhe Messi. Mundte t’i fuste e ta heqë një mbrojtës, ta fitojë një sulmues, ai e nxori Brozovic dhe ishte gabim”, ka shtuar Tovërlani.
Ndër të tjera, Tovërlani ka shtuar se Kroacia në ndeshjen ndaj Brazilit ka pasur fat. Ndërkaq, sipas tij, në ndeshjen ndaj Argjentinës, lojtarët kroatë kanë luajtur ashtu siç i pëlqente Argjentinës.
“Sot Kroacia ka luajtur qysh i ka konvenuar Argjentinës. Kroacia ka pasur fat ndaj Brazilit”, ka thënë Tovërlani, në emisionin “Dueli Botëror” në RTV Dukagjini.