Ish-zëvendësndihmëssekretari amerikan i Mbrojtjes për Evropën dhe Politikën ndaj NATO-s, Jim Townsend, thotë se Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe NATO-ja, duhet të vazhdojnë të përqendrohen në problemet në Ballkan dhe të sigurohen që ato nuk do të lihen jashtë vëmendjes.
Ai vlerëson se një nga zhgënjimet më të mëdha të zhvillimeve të pas Luftës së Ftohtë në Evropë janë dështimi i shteteve të Ballkanit për të arritur paqen me njëra-tjetrën.
Townsend, i cili ka luajtur një rol kritik për zgjerimin e NATO-s dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me demokracitë e reja që dolën pas shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se tridhjetë vjet pas “paralajmërimit të Krishtlindjes”, që presidenti Bush i bëri Serbisë për Kosovën, gjasat për shpërthimin e luftës janë të vogla.
“Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe NATO-ja, duhet të vazhdojnë të përqendrohen në problemet e Ballkanit dhe të sigurohen që ato nuk do të injorohen ose lihen jashtë vëmendjes për shkak të luftës në Ukrainë apo Gazës. Duhet të vazhdojmë të kemi durim dhe të përballemi me problemet atje. Njëkohësisht duhet të reagojmë me forcë për personalitetet që refuzojnë të bëjnë kompromis, apo refuzojnë të dëgjojnë shqetësimet e të tjerëve dhe që bëhen pengesa për paqen. Andaj mendoj se Perëndimi, institucionet e tij dhe vendet si Shtetet e Bashkuara, duhet të jenë të prera në qëndrime dhe të thonë qartazi se do të mbështesin përparimin e vazhdueshëm në Ballkan dhe nuk do të lejojmë askënd të bëhet pengesë, të nxisë probleme…”, u shpreh ai.
Ai thotë se nëse BE-ja tregohet këmbëngulëse, ndoshta ndërkohë do të ketë ndryshim politik në Serbi.
“Unë i mbështes përpjekjet e Bashkimit Evropian. E di se me vite të tëra kanë qenë të angazhuar me NATO-n dhe me SHBA-të në përpjekje për të dalë me qasje politike që mund të funksionojnë, dhe jo të gjitha kanë funksionuar…Por konsideroj se nëse BE-ja tregohet këmbëngulëse, ndoshta ndërkohë do të ketë ndryshim politik në Serbi. Nuk duhet hequr dorë, duhet të provojmë mjete të ndryshme dhe mënyra të ndryshme që mund të ndikojnë për të sjellë ndryshime politike apo të ndryshojnë qëndrimet politike, të dalim me kompromis. Duhet të ulemi në tryezë dhe të diskutojmë ide të ndryshme për të arritur kompromis. I mbështes përpjekjet e BE-së. E di që do të jetë vështirë, por duhet të provojmë, njësoj siç duhet të shtojmë forcat e KFOR-it dhe misionet e tjera kur konflikti përshkallëzohet. Duhet ta tregojmë seriozitetin tonë duke shtuar forcat për të ruajtur stabilitetin”, shtoi ai.