Këtë të hënë, më 25 shtator, u vendos të shpallet ditë zie shtetërore, derisa i gjithë vendi u trondit nga një sulm terrorist.
Tragjedia vazhdoi me dhimbje të madhe pas vrasjes së Afrim Bunjakut, rreshter i Policisë së Kosovës, i cili ndërroi jetë pas sulmit të së dielës nga grupet kriminale në fshatin Banjskë në veri të vendit.
Në këtë sulm, edhe tre policë të tjerë u plagosën.
Sulmi terrorist ndaj policisë shpërtheu tensionet në pjesën veriore të Kosovës, e cila është kryesisht e banuar nga komuniteti serb. Autoritetet e vendit thanë se sulmuesit, mbi 30 prej tyre, ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.
Në orët e mbrëmjes të së dielës, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.
“I gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll”, ka deklaruar Sveçla, por nuk ka thënë nëse personat e tjerë të armatosur, janë larguar.
“Operacioni policor në veri po vazhdon”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vrasja në veri është “planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe”.
“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin”, ka thënë mes të tjerash ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se operacioni policor në veri po vazhdon dhe se policia është në bashkëpunim të ngushtë me forcën e KFOR-it dhe EULEX-in.
“Sulmuesit dyshohen për vepra terroriste”
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndaluar gjashtë persona të dyshuar për përfshirjen e tyre në sulmin ndaj policisë. Ata akuzohen për vepra të ndryshme penale, duke përfshirë veprat terroriste.
“Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, janë veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit.
Po ashtu, Prokuroria ka thënë se nga aksioni i policisë janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme. Të ndaluarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Vuçiq fajëson Kurtin për kaosin në veri
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti dhe komunitetin ndërkombëtar për tensionet në veri dhe ka akuzuar se Policia e Kosovës përdoret politikisht ndaj serbëve.
Ai ka thënë se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.
Kjo situatë ka shkaktuar reagime të forta nga komuniteti ndërkombëtar, me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në që dënojnë ashpër sulmin.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se duhet të vërtetohen të gjitha faktet rreth sulmit të së dielës në veri të Kosovës.
Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i ka reaguar përfaqësuesit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Ajo ka thënë se asnjë fjalë Borrelli nuk e ka thënë në mbështetje të Policisë së Kosovës e as kundër terroristëve.
“Terroristët vrasin policinë – dhe ju thoni ‘të gjithë aktorët’? Asnjë fjalë mbështetje për policinë? As kundër terroristëve? A iu referuat edhe sulmeve terroriste në Spanjë si ‘armiqësore’?”, ka shkruar ajo në Twitter.
Ajo e ka quajtur këtë reagim të turpshëm duke pyetur se si “mund ta tolerojnë më këtë cinizëm anëtarët e BE-së?”.
Borrell telefonon Kurtin e Vuçiqin
Por, më pas, Borrell ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për sulmet në veri.
Në këto biseda telefonike, Borrell ka thirrur për rivendosjen e qetësisë dhe të stabilitetit.
Në njoftimin e BE-së, Borrell e ka quajtur “terrorist”, “të tmerrshëm”, e “frikacak” sulmin ndaj Policisë së Kosovës.
Ai u ka bërë thirrje sulmuesve të dorëzohen menjëherë.
“T’i kthehemi menjëherë dialogut”
Ndërkaq, emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas sulmeve terroriste në veri ka thënë se të gjithë duhet t’i kthehen menjëherë dialogut.
Po ashtu, Lajçak ka dënuar sulmin kundër Policisë së Kosovës, duke thënë se autorët duhet të dalin para drejtësisë.
Sulmi ndaj Policisë në veri bën bujë në mediat ndërkombëtare
Reuters, BBC, AssociatedPress, abcNews, janë vetëm disa nga mediat ndërkombëtare që kanë shkruar për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku mbeti një polic i vrarë dhe një tjetër i plagosur.
Shtetet si Austria, Kroacia, Mali i Zi dhe Zvicra kanë reaguar për të dënuar sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, duke bërë thirrje që autorët e këtij akti të sillen para drejtësisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë bashkuar me kritikën e ashpër ndaj sulmit të dhunshëm, ndërkohë që qytetarët e Kosovës kanë shfaqur solidaritetin e tyre duke ndezur qirinj para selisë së Policisë së Kosovës në Prishtinë, një shenjë nderimi për policin e vrarë.